SPORT, 28 Dhjetor 2021, 09:20

'Divorci' mes Ilir Dajës dhe Partizanit me një gotë whiskey, ja çfarë ndodhi pas derbit

'Divorci' mes Ilir Dajës dhe Partizanit me një gotë

Ilir Daja nuk do të jetë më trajneri i Partizanit.

Derbi i humbur ndaj Tiranës në mënyrë të dhimbshme i ka vënë kapakun marrëdhënies mes tij dhe klubit të kuq pas rreth një viti e gjysmë bashkëpunim mes tyre. Gjithçka është mbyllur me një takim mes palëve.

TAKIMI PAS DERBIT – Ashtu siç vetë Daja e paralajmëroi, ai bashkë me presidentin e klubit, Gazmend Demin, dhe drejtorin e përgjithshëm të klubit, Olsi Ramën, janë takuar një ditë pas derbit, në orët e pasdites së datës 25 dhjetor në një nga lokalet e Tiranës për të folur në lidhje me mungesën e rezultateve dhe të ardhmen e klubit.

Në fakt, ka pasur shumë gjëra për t’u sqaruar, por nuk janë thënë shumë fjalë.

“Panorama Sport” mëson se e gjithë biseda mes palëve ka nisur me një pyetje të presidentit Demi, i cili ka kërkuar të dijë nga Daja se çfarë nuk po shkon me skuadrën dhe përse nuk po vijnë rezultatet, që janë kërkuar dhe pretenduar.

Trajneri Daja i është përgjigjur se me sa duket klubi ka mbërritur në pikën kur duhet të largohet trajneri, si përgjegjësi kryesor për rezultatet jo pozitive të ekipit.