Desktop - General - 1
SPORT, 27 Dhjetor 2021, 14:36

De Vrij drejt largimit nga Interi, tre klube gati të përfitojnë

De Vrij drejt largimit nga Interi, tre klube gati të përfitojnë

Kontrata e Stefan De Vrij me Interin skadon në verën e 2023-shit, por duket se në klubin zikaltër nuk kanë ndërmend t’i zgjasin bashkëpunimin, gjë që është lënë të kuptohet edhe nga drejtori sportiv Piero Auzilio.

Kërkesat e agjentit të tij, Mino Raiola, për rinovimin e kontratës, janë për rreth 5 milionë euro në sezon, përtej limiteve ekonomike të klubit milanez, që duket se ka vendosur të dëgjojë ofertat që do të vijnë në drejtim të titullarit holandez gjatë merkatos së verës.

Mediat në Itali bëjnë me dije se për kartonin e De Vrij kanë shfaqur interes Totenhemi e Njukasëll në Premier Ligë, por edhe Barcelona në La Liga, të cilat janë gati të përfitojnë nga situata, për të marrë mbrojtësin një vit para se t’i skadojë kontrata.

Ndërkohë te Interi do të ishin të kënaqur po të arkëtonin një shifër prej 15-20 milionë eurosh për një mbrojtës 30-vjeçar, të cilin e kanë marrë me parametra zero në verën e 2018-ës dhe mund të regjistrojnë një plusvalencë të rëndësishme.