SPORT, 28 Mars 2026, 16:33

Botërori i përket të kaluarës, Shqipëria nis punën për miqësoren më pa vlerë në histori

Botërori i përket të kaluarës, Shqipëria nis punën

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zbarkuar dje në Spanjë, ku do të luajë këtë të martë ndeshjen miqësore ndaj Ukrainës.

Një miqësore e kërkuar dhe organizuar nga FIFA mes dy skuadrave humbëse të gjysmëfinaleve të play-off ndërkombëtar.

Një duel i cili padyshim vjen në momentin më pak të duhur pas zhgënjimeve për të dy skuadrat dhe ndonëse trajneri Silvinjo e ka cilësuar si sfidë të rëndësishme, fakti që ai mund të mos jetë në drejtimin e ekipit pas kësaj ndeshje, ul edhe më shumë vlerat e eksperimenteve që mund të bëjë në këtë duel.

FSHF ka bërë të ditur se tashmë ekipi ka nisur stërvitjet, duke zhvilluar seancën e parë në qendrën “Parador de El Saler” të Valencias dhe raportohet se të 24 futbollistët në dispozicion të Silvinjos janë në gjendje të gatshme pa probleme fizike.

Nga grupi fillestar prej 26 futbollistësh u larguan pas ndeshjes me Poloninë mbrojtësi Arlind Ajeti i dëmtuar, si dhe mesfushori Ylber Ramadani për arsye familjare.