SPORT, 11 Korrik 2026, 20:58

Arrihet marrëveshja! Klopp një hap larg pankinës së Gjermanisë, Red Bull mbetet pengesa e fundit

Arrihet marrëveshja! Klopp një hap larg pankinës së

Jurgen Klopp është shumë pranë emërimit si trajneri i ri i kombëtares gjermane. Sipas raportimit të Bild, marrëveshja mes palëve është arritur të premten, më 10 korrik, gjatë një takimi në New York mes presidentit të Federatës Gjermane të Futbollit (DFB), Bernd Neuendorf, zëvendëspresidentit Hans-Joachim Watzke, vetë Klopp dhe agjentit të tij, Marc Kosicke.

Hapi i radhës në proces është miratimi i kontratës nga asambleja e përbashkët e Këshillit Mbikëqyrës dhe aksionarëve të Federatës Gjermane të Futbollit.

Sipas detajeve të publikuara, Klopp do të firmosë një kontratë deri në përfundim të Botërorit 2030, duke udhëhequr Gjermaninë gjatë gjithë ciklit kualifikues për Euro 2028 dhe Kupën e Botës 2030, e cila do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok.

Për këtë angazhim, tekniku gjerman do të përfitojë një pagë disi më të lartë se ajo e Julian Nagelsmann, rreth 7 milionë euro në vit.

Zgjidhja me Red Bull, pengesa e fundit

Përpara njoftimit zyrtar mbetet vetëm një çështje për t'u zgjidhur: ndërprerja e kontratës së Klopp me Red Bull.

Shefi Ekzekutiv i kompanisë austriake, Oliver Mintzlaff, pritet të udhëtojë drejt New York-ut për të negociuar me trajnerin dhe stafin e tij.

Mintzlaff nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Federatën Gjermane të Futbollit. Në vitin 2023 ai u emërua pjesë e "Këshillit të të Mençurve", një organ i krijuar për të ndihmuar në ringritjen e kombëtares gjermane, së bashku me emra të njohur të futbollit si Rudi Völler, Karl-Heinz Rummenigge, Oliver Kahn dhe Matthias Sammer. Megjithatë, në shtator të po atij viti, ai u largua nga ky grup mes polemikave, së bashku me Rummeniggen.

Në atë kohë, Mintzlaff deklaroi se nuk e shihte dobinë e këtij këshilli, duke theksuar se anëtarët e tij nuk u morën asnjëherë në konsideratë për të vepruar në mënyrë efektive.

Megjithatë, që nga momenti kur emëroi Klopp si Shef të Operacioneve Futbollistike të Red Bull, ai ishte në dijeni të dëshirës së trajnerit për t'u rikthyer në pankinë vetëm në rast se do të merrte një ofertë nga kombëtarja gjermane. Dhe pikërisht kjo ofertë tashmë ka mbërritur.

Nuk ekziston klauzolë, vetëm një marrëveshje "mes burrash"

Prej vitesh mediat kanë raportuar se në kontratën e Klopp me Red Bull ekzistonte një klauzolë që i lejonte largimin në rast të një oferte nga kombëtarja gjermane.

Megjithatë, Mintzlaff e ka mohuar disa herë këtë version, duke sqaruar se nuk ekziston asnjë klauzolë e shkruar. Sipas tij, mes palëve ka vetëm një marrëveshje verbale "mes burrash", që i mundëson Klopp të largohet pa penalitete, ndërsa në këmbim ai do të vazhdojë të jetë ambasador i markës Red Bull në aspektin komercial.

DFB konfirmon bisedimet me Klopp

Federata Gjermane e Futbollit ka reaguar edhe zyrtarisht përmes një komunikate, duke konfirmuar zhvillimin e takimit në New York.

"Presidenti i DFB dhe zëvendëspresidenti Hans-Joachim Watzke zhvilluan në New York bisedimet e para të thelluara me Jurgen Klopp në lidhje me emërimin e tij si trajner i kombëtares së Gjermanisë. Gjatë këtij takimi konstruktiv u arrit një marrëveshje për pikat kyçe të një kontrate të mundshme. Bisedimet do të vazhdojnë javën e ardhshme. Të dyja palët besojnë se negociatat, në varësi të arritjes së marrëveshjes me Red Bull, mund të përmbyllen me sukses", thuhet në komunikatën zyrtare të DFB.