AKTUALITET, 7 Gusht 2021, 11:51

SPAK tërhiqet nga “arresti me burg” për Selim Çekajn, GJKKO vendos sot për fatin e babait të Arbër Çekajt

SPAK tërhiqet nga “arresti me burg” për Selim

Po zhvillohet këtë të shtunë seanca gjyqësore në GJKKO për babanë e Arbër Çekajt, Selim Çekajn, për caktimin e masës së sigurisë.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “Balkan Web” se ditën e sotme SPAK është tërhequr nga masa e “arrestit në burg” për 72-vjeçarin Çekajn.

SPAK ka kërkuar masën e “arrest në shtëpi”, duke arsyetuar se nga të dhënat e deritanishme nuk ka prova që ai të jetë i përfshirë në çështjet e trafikut të drogës.

Sipas prokurorit, derisa të kryhen hetimet, Çekaj duhet të qëndrojë në “arrest shtëpie”.

Një tjetër arsye, pse SPAK ka kërkuar zbutjen e masës së sigurisë është edhe mosha e thyer e Çekajt, por edhe fakti se i hetuari po mbahet prej javësh në qendrën spitalore të burgut, për shkak të problemeve të theksuara shëndetësore.

Edhe ditën e sotme, ai nuk është i pranishëm në seancë, por përfaqësohet nga avokati Maksim Haxhiaj.

Selim Çekaj u vu në pranga, pasi policia sekuestroi sasinë prej 49 kg kokainë, në kompania e djalit të tij, e cila më herët kishte sjellë sasinë më të madhe prej 613 kg kokainë.