SPORT, 6 Maj 2021, 11:39

Sot përcaktohet finalja e Europa League

Sot përcaktohet finalja e Europa League


Sot në mbrëmje do të luhen ndeshjet e kthimit gjysmëfinale të Europa League nga ku do të dalin skuadrat që do të diskjutojnë trofeun e këtij kompeticioni në 26 maj në Gdansk të Polonisë. Manchester United do të luajë në “Olimpico”, ndaj skuadrës së Romës, një ndeshje kjo që do të ndiqet me vëmendje edhe nga trajneri i ardhshëm i verdhekuqve Jose Mourinho

Skuadra e Djajve të Kuq është praktikisht me një këmbë në finale të Europa League pas fitores tenistike të javës së kaluar 6-2 të arritur në “Old Trafford”, por Solskjaer në konferencën për shtyp në prag të kësaj ndeshjeje ka preferuar të mbajë skuadrën e tij me këmbë në tokë duke kujtuar përmbysjen në rezultat që Roma bëri ndaj Barcelonës pak vite më parë pas humbjes së parë 4-1

Ndërsa në ndeshjen tjetër, Arsenal do të presë në Londër, Villarrealin e Unai Emery që është vënë përballë ish-skuadrës së tij. Në ndeshjen e parë “Nëndetësja e verdhë” arriti të fitojë me rezultatin 2-1, por llogaritë për finalen janë të hapura me “Topcinjtë” që kanë arritur të shënojnë një gol në fushën kundërshtare.

Për më tepër për Arsenalin, Europa League është i vetmi kompeticion që mund t’i shpëtojë sezonin duke qenë se Topcinjtë janë eliminuar nga të gjitha evenimentet e tjera, ndërkohë që në kampionat është në vendin e 9 me 49 pikë. ndeshjet gjysmëfinale të Europa League do të luhen në orën 21:00.