AKTUALITET, 31 Gusht 2021, 13:15

Humbje e re, avaz i vjetër/ PD zgjedh "gjakun e ri" të partisë, besnikët e Lulzim Bashës. Vëmendjen vijon ta rrëmbejë Berisha

Humbje e re, avaz i vjetër/  PD zgjedh "gjakun e ri" të


Pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit dhe mbajtjes së zgjedhjeve të befta partiake, ku u rikonfirmua si kryetar, Lulzim Basha u "zhduk" nga skena publike, duke u zhytur në rutinën e deklaratave dhe reagimeve vetëm në rrjetet sociale.

Me mbarimin e pushimeve, rënien e temperaturave dhe afrimin e legjislaturës së re, kanë nisur procedurat formale në PD, për të dëshmuar se kjo parti ende ekziston.  Ndryshe nga herët e tjera, entuziazmi mungonte. Humbjet dërrmuese dhe të njëpasnjëshme, i'a kanë zbehur interesin edhe militantëve më të flaktë të partisë. Aq shumë mungon interesi për këto procese që i ndodhin partisë, saqë  vëmendjen kryesore nga kjo ngjarje, e mori parakalimi i Sali Berishën në shkallët e selisë, ngaqë  shoqërohej nga i famshmi, Dasho Aliko i Lazaratit dhe kolegu tjetër doktor, Tritan Shehu.

Megjithatë ditën e djeshme u mbajt një proces formal, mbledhja e Këshillit Kombëtar, ku u votua ekipi i Lulzim Bashës dhe kryesia e re.

Më shumë sesa emra të rinj, ndodhën disa spostime të emrave të vjetër, të përdorur dhe super përdorur nga lidershipi i PD-së. Shumica prej tyre, njerëz të bindur dhe ndjekës të verbër të kryetarit deri në vetëmohim, morën emërimet e reja.

Askush nuk mori përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve, të gjithë janë sërish aty, gati për të shërbyer edhe katër vjet si opozitarë. Me disa përjashtime të vogla, të kritikëve të orëve të fundit, PD është thuajse e njëjtë.

Sigurisht gjatë mbledhjes, ndihej edhe hija e rëndë e largimit të Mark Markut, i cili i dha Lulzim Bashës goditjen, por ndoshta edhe mësimin më të madh në këto vite. Ai e përkufizoi PD-në, si partinë e Berishës që drejtohet nga Lulzim Basha, ku mund të bësh karrierë vetëm si servil i kryetarit dhe ku interesat e qytetarëve nuk janë në axhendën e partisë.

Por çfarë ndodhi në mbledhjen e djeshme?

Si fillim, u zhduk nga çdo funksion në parti, ish presidenti, Bujar Nishani, kritik i Lulzim Bashës dhe mënyrës sesi ai e ka drejtuar partinë, duke e çuar nga humbja në humbje. Postin e Nishanit si Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së, e mori as më shumë dhe as më pak, Edi Paloka.

Krasitja e Nishanit, është e fundit në rradhën e krasitjeve të bujshme që i kanë ndodhur kësaj partie që prej vitit 2013, kur në parti u caktua Lulzim Basha dhe u larguan me rradhë, themelues dhe kontributorë të rëndësishëm, në mënyrë që Lulit, kurrë të mos i rrezikohej karrigia.

Nga kryesinë e re të partisë, nuk figurojnë  Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj, të dy kandidatë përballë Bashës për rolin e kryetarit, por që tashmë duket se nuk kanë më vend në kolltuqet e rëndësishme të partisë.

Të zgjedhurit e rinj në kryesi, pra "gjaku i ri" i PD-së, janë Gert Bogdani, Fitim Zekthi, Aldo Bumçi,Gent Strazimiri, Agron Gjekmarkaj, Ervin Salianji, etj.

Gjithashtu pjesë e Kryesisë së re janë sipas statutit edhe katër nënëkryetarët e partisë, Jorida Tabaku, Grida Duma, Alfred Rushaj, Enkelejd Alibeaj, si dhe Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, po kështu do të jenë edhe Albana Vokshi nga Lidhja Demokratike e Gruas dhe Belind Këlliçi nga Forumi Rinor.

Kryetari i Grupit Parlamentar do të jetë Alfred Rushaj, që drejtoi fushatën e Tiranës, duke dëshmuar se në PD, sa më shumë të dështosh në zgjedhje, aq më shumë promovohesh në poste kyçe.

Partia Demokratike është sot në pikën më të ulët në historinë e saj që prej themelimit.

Mes makthit të humbjeve dërrmuese, shpalljes non-grata nga SHBA të liderit historik, Berisha, që refuzon të largohet nga partia, rënies së popullaritetit dhe zhgënjimit të militantëve, Lulzim Basha duket se ka vendosur të vijojë të njëjtën rrugë, me procese fallco, duke u rrethuar nga besnikë që i duhen shumë në selinë e partisë, por që nuk kanë vlerë kur vjen puna tek përballja me kundërshtarin. Humbje e re, avaz i vjetër!

/TPZ.al/ 

[gallery ids="561411,561410,561409,561412,561398,561397,561391,561392,561393,561387,561394,561395,561388,561385,561384,561383"]