AKTUALITET, 8 Shtator 2020, 10:50

"Sistemi shëndetësor vuan nga mungesa e personelit", Basha: Qeveria shpenzoi paratë e shqiptarëve për konçensione korruptive

"Sistemi shëndetësor vuan nga mungesa e personelit", Basha:


Kryedemokrati Lulzim Basha përmes një statusi në rrjetet sociale, shkruan se në Shqipëri sistemi shëndetësor publik vuan nga mungesa e personelit, investimeve dhe pajisjeve mjekësore.

Sipas Bashes, mungesa e mbështetjes ka larguar me mijëra mjekë dhe infermierë nga vendi, duke bërë që Shqipëria të ketë numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon, e për pasojë zona të tëra në Shqipëri kanë mbetur pa mjekë dhe pa shërbim për qytetarët.

Kreu i demokratëve ka publikuar disa të dhëna nga Observatori Global i Shëndetit, në të cilin sipas tij, tregohet se Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon, 1.2 mjekë për 1000 banorë, ndërkohë që Greqia ka 6.2 mjekë për 1000 banorë, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8.

Basha ka akuzuar qeverinë se në shtatë vjet, i shpenzoi paratë e shqiptarëve për konçensione dhe tendera korruptivë.