TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjendja e fatkeqësisë natyrore në Republikën e Shqipërisë, do të shtyhet edhe me dy muaj të tjerë, deri në datën 23 Qershor.
Por përse ka vendosur qeveria të kërkojë shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, kur situata e koronavirusit në Shqipëri duket mjaft optimiste, siç e deklaron edhe vetë qeveria dhe të dhënat, që kemi në dispozicion?
Nëse situata është kaq pozitive, sa na është paraqitur nga vetë qeveria, përse duhet shtyrë gjendja e fatkeqësisë natyrore?
Këtë argument përdor edhe nënkryetari i LSI-së, Luan Rama, në një konferencë për shtyp, ku kërkoi që qeveria të tërhiqet nga kjo kërkesë, sepse "realiteti faktit", nuk e mbështet atë.
"Rezulton se propozimi i qeverisë për të shtyrë dhe dy muaj të tjetër shpalljen e “Gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore“ të jetë tërësisht flagrant dhe në kundërshtim me Kushtetutën, i pambështetur, i pamotivuar dhe i paarsyetuar, jo vetëm nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore, por edhe nga realiteti faktik.
Sipas të dhënave që jep vetë Ministria e Shëndetësisë në këtë moment që po flasim, rezulton të jenë të shtruar në QSUT vetëm 32 qytetarë të infektuar me COVID-19. Dhe vetëm 8 të tjerë të shtruar në Sanatorium. Pa evidentuar këtu faktin që gjatë ditëve të fundit ka ditë të tëra që nuk paraqitet pranë këtyre qendrave spitalore të përcaktuara për këtë koronavirus asnjë qytetar për tu shtruar.
Sot nuk ka më asnjë bazë reale, por edhe asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore që të zgjatet më tej gjendja e fatkeqësisë natyrore, aq më tepër po të kemi parasysh që ka zona të tëra të vendit, ka bashki të tëra në të cilat nuk ka asnjë rast ta shfaqjes së të infektuarve me coronavirus, gjë që do të thotë se nuk ka asnjë arsye as në kuptimin parandaluese, por as në kuptimin e diagnostikimit, as në kuptimin e administrimit te realitetit që atje të ketë kufizime në kuadër të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore", deklaroi Rama.
Ndryshe nga Luan Rama, që shpalos linjën zyrtare të LSI-së, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka analizuar në një tjetër kënd, kërkesën e qeverisë për të shtyrë gjendjen e jashtëzakonshme. Basha e ka argumentuar këtë vendim, me dështimin e qeverisë për të përballuar krizën dhe mungesën e testimeve.
"Pse u shty emergjenca? E shpjegoi kryeministri këtë? Shpjegoi që këto 5 javë që ka kërkuar sakrificë të shqiptarëve për të qëndruar në shtëpi nuk ka marrë asnjë masë reale për të na treguar ku është infeksioni? Kjo mundet kur ti ke mjaftueshëm testime. Na shpjegoi pse e ka marrë këtë masë në raport me atë që duhet të bëjë për të mbështetur të prekurit nga kjo masë, sepse sa e shtyrjes së gjendjes së fatkeqësisë presupozon që qeveria do të vazhdojë të ushtrojë pushtetet e veta për të urdhëruar mbyllje të bizneseve apo reduktim të orareve. Pra, në masa shtrënguese kemi qenë të bollshëm, në komunikim në facebook kemi qenë të bollshëm, por deri më sot, qeveria dhe kryeministri kanë dhënë me pikatore ndihmën që qytetarët meritojnë, ndihmën financiare apo ushqimore për të cilat qytetarët dhe bizneset kanë më shumë se kurrë nevojë sot. Ndaj, nga kjo pikëpamje, shtyrja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore është një tjetër provë e dështimit të qeverisë në këto 5 javë për t’u përballur me krizën", deklaroi Basha për Syri Tv.
Pra këto dy argumenta të opozitës, tregojnë se qeveria po e shtyn gjendjen e jashtëzakonshme, ose për shkak të paaftësisë së saj deri në kë momente (linja e PD), ose për faktin se qeveria kërkon të abuzojë me këtë masë, duke qenë se situata në terren, nuk e justifikon shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore (linja e LSI).
Nënkryetari i LSI, ka kërkuar gjithashtu që Shqipëria të kthehet menjëherë me status të plotë si anëtare e Këshillit të Europës.
"Qeveria shqiptare të rikthej menjëherë, e përsëris me status të plotë Shqipërinë si anëtare të Këshillit të Europës dhe siç urdhëron neni 5 I Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut do të duhet që qeveria shqiptare të informojë me shkrim menjëherë Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës për përfundimin e gjendjen e fatkeqsisë natyrore e për rikthimin e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve siç buron jo vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por dhe nga Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, e të gjitha të drejtave të cënuara apo të kufizuara për shkak të gjendjes së fatkeqsisë natyrore", tha Rama.
Ndërsa Arben Ahmetaj, e ka argumentuar shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, me nevojën që kemi për të ulur kurbën, pra i gjithë ky mundim i qeverisë, po bëhet që të ulim kurbën, e cila sipas vetë të dhënave të qeverisë, është nga kurbat më pozitive në rajon, por edhe në botë!
"Duke qenë se jemi të gjithë te Komisioni juaj të përditësuar me situatën e gjendjes do të na ndihmojë ne që të kemi mundësi të kontrollojmë dhe të fusim në një kurbë ulëse përhapjen e infeksionit", tha Ahmetaj.
/TPZ.al/