AKTUALITET, 3 Korrik 2019, 10:04

Shtyhet sërish seanca për Saimir Tahirin

Shtyhet sërish seanca për Saimir Tahirin


Edhe pse e nisi gjyqin dy muaj pas kalimit për gjykim, për të mos pasur zvarritje, Gjykata për Krime të Rënda është detyruar për të dytën herë të shtyjë seancën ndaj ish ministrit Saimir Tahiri dhe tre ish zyrtarëve të policisë.

Ashtu si në 19 qershor, edhe sot seanca dështoi pasi një prej të pandehurve nuk kishte marrë dijeni.

Deri në 17 korrik, tha Gjykata do të vazhdohet me kërkimet për ish policin Gjergji Kohila dhe do të përsëriten njoftimet edhe për Sokol Boden.

I pranishëm në seancën e sotme ishte edhe vetë Tahiri, ndërsa gjykata pranoi prokurën e lëshuar nga ish shefi i Vlorës, Jaeld Cela, duke e konsideruar të pranishëm.

"Keq me vjen që u shty, unë do të vazhdoj të kërkoj një gjyq sa më të shpejtë, se nuk ka më terezi njeri që ky gjyq të zgjatet kaq shumë.

Shqipëria po ecën para, vetëm gjyqi im ka ngecur”- tha ai për gazetaret.

Edhe pse në arrati, në datën 1 korrik, Çela ka firmosur një prokurë të posaçme në një noteri në Tiranë ku pranon se ka marrë dijeni dhe autorizon dy avokatët e tij ta përfaqësojnë.

Saimir Tahiri dhe tre ish policët janë marrë të pandehur nga Krimet e Rënda për trafikim të lëndëve narkotike, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale në kuadër të grupit kriminal.