TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Idetë për korrigjim të kufirit ose shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë serioze, tha analisti dhe publicisti Veton Surroi. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai theksoi se legjitimiteti i këtyre ideve në rrafshin ndërkombëtar në masë të madhe ka vdekur.
Por analisti kosovar, i cili ka publikuar disa shkrime për situatën në Shqipëri, foli edhe për krizën politike në vendin tonë.
“Është për të ardhur keq që ekziston një polarizim i këtillë në Shqipëri, i cili nuk po e lejon vendin. Ekziston një mungesë përbashkësie, rreth një ideje të avancimit të shtetit. Pra, kemi të bëjmë me vënien në pikëpyetje të legjitimitetit të demokracisë në Shqipëri. Një pyetje e cila me të drejtë shtrohet. Por, për fat të keq po shtrohet edhe legjitimeti i shtetit, i institucioneve shtetërore. Dhe kjo gjendje tejkalohet vetëm në një mënyrë, që të arrihet një përbashkësi, e cila rrjedh nga një proces dialogues me një kornizë shumë më të gjerë. Me një kornizë e cila nuk analizon vetëm zgjedhjet, apo këtë datë zgjedhjesh, por e analizon shtetin si të tillë. Çka është e nevojshme që të ndryshojë në këtë shtet, në kornizën e vet kushtetuese, në ligjet e veta zgjedhore të tjera. Dhe ky të jetë prodhim autentik i një dialogu demokratik të brendshëm, i cili pastaj prodhon një ide të një Shqipërie evropiane. Dhe nuk mundet që çdo cikël zgjedhor të prodhojë dilemën e vitit 1989. Pse shqiptarët të jenë populli, pse 30-vjeçarët shqiptarë, të jenë të vetmit në Evropë nga Lisbona deri në Talin që vënë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve të tyre,” tha Surroi.
I pyetur se nga mund të vijë zgjidhja, Surroi tha: “Unë mendoj se duhet të ketë një vullnet autentik të shqiptarëve, të palëve politike, të shoqërisë civile, të figurave intelektuale, të cilat duhet të marrin pjesë në një aktivitet, i cili u përket shqiptarëve. Nuk është çështje e misioneve fluturuese ndërkombëtare, të cilat vijnë, japin zgjidhje të shpejta dhe pastaj largohen. Me ato zgjidhje duhet të jetojnë shqiptarët vetë”.