TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe 33 të tjerë janë plagosur nga një sulm me raketa i ushtrisë armene ndaj qytetit Ganja në Azerbajxhan, ende pa kaluar 24 orë nga armëpushimi i arritur, raporton Anadolu Agency (AA).
Numri i viktimave u bë i ditur nga Ministria e Jashtme e vendit, e cila në një deklaratë në rrjetet sociale tha se në mesin e të plagosurve ka edhe fëmijë.
Ali Memedov, një qytetar i cili i mbijetoi sulmit duke shpëtuar vetë nga rrënojat e shtëpisë së shkatërruar nga sulmi, tha për AA se fillimisht ka menduar se bëhet fjalë për tërmet.
“Dëgjuam një zhurmë shpërthimi. Më pas, shtëpia u shemb mbi ne. Në fillim mendova se ishte tërmet. Pastaj dolëm nga rrënojat së bashku me familjen”, tha Memedov.
“Kur dolëm jashtë përjetuam tronditje. Raketat kishin rënë në ndërtesat e fqinjëve. Dëgjova britma të fëmijëve dhe grave. Menjëherë i ndihmova ata dhe u përpoqëm të largoheshim nga zona”, shtoi ai.
Ndryshe, në takimin e ministrit të Jashtëm të Azerbajxhanit Ceyhun Bayramov dhe ministrit të Jashtëm armen Zohrab Mnatsakanyan në Moskë dy ditë më parë, me ndërmjetësimin e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, u ra dakord që nga dje në mesditë të shpallet armëpushim për qëllime humanitare për shkëmbimin e të burgosurve dhe trupave të të vrarëve.
Përleshjet e reja shpërthyen më 27 shtator dhe që prej asaj kohe, Armenia ka vazhduar sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase, duke shkaktuar viktima.
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut ose Nagorno-Karabakun, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.
Rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit ka qenë nën okupimin ilegal të Armenisë për rreth tre dekada.
Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, si dhe shumë organizata ndërkombëtare, kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese.
Grupi i Minskut i OSBE-së, i bashkëkryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA, u formua në vitin 1992 për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit, por pa rezultat. Megjithatë, në vitin 1994 u arrit një armëpushim.