AKTUALITET, 25 Gusht 2018, 10:19

Shqipëria e para në botë për përdorimin e kokainës, deputeti i PD: Monstruoze, ku është futur kryeministri

Shqipëria e para në botë për përdorimin e

Deputeti demokrat Tritan Shehu, ish-ministër i Shëndetësisë thotë se ajo që po ndodh në vendin tonë me drogën është monstruoze e me pasoja shkatërruese për të ardhmen.

Duke iu referuar shkrimit të “The Economist” që thoshte se Shqipëria është e para në botë për përdorimin e kokainës në raport me popullsinë, Shehu pyet se ku është kryeministri që është edhe kreu i komitetit kombëtar kundër drogës e trafiqeve.

Ai deklaron se përdorimi i kanabisit është ulur deri në moshat 11-13 vjeç, duke prekur rreth 70% të nxënësve në shumë qytete por se nga ana tjetër mungon totalisht një strategji kombëtare për përballimin e këtij fenomeni.

STATUSI I SHEHUT

Ku është “futur” Kryeministri i ynë ndërsa “The Economist” jep alarmin për përdorimin e drogës në Shqipëri.

Dhe Kryeministri është me ligj Kryetar i “Komitetit Kombëtar kundër Drogës e Trafiqeve”!!!

Kjo që po ndodh në vendin tonë është monstruoze e me pasoja shkatërruese afat gjatë.

Shqipëria është kthyer jo vetëm në “hambarin” e kanabisit për Evropën e “autostradë” e trafikut të heroinës e kokainës, por dhe në një përdoruese shumë të lartë të tyre sipas popullsisë.

“The Economist” deklaron për 2,5% të popullsisë si përdoruese e kokainës!

Kjo është vetëm një pjesë e zezë e realitetit tonë.

Heroina po bëhet gjithashtu një drogë e shpeshtë, për të mos përmendur disa të tjera sintetike e ekstremisht të rrezikshme.

Përdorimi i kanabisit, që është një prekursor i drogave të forta, është ulur deri në moshat 11-13 vjeç, duke prekur rreth 70% të nxënësve në shumë qytete.

Mungon totalisht një strategji kombëtare për përballimin e këtij fenomeni shkatërrues në të gjitha aspektet e tij, siç duket edhe e vullnetit.

Përveç klinikës toksikologjike pranë QSUT, që merret me rastet e intoksikimit akut, nuk ekziston në vendin tonë asnjë strukturë qoftë mjekuese, qoftë rehabilituese për të ndihmuar pacientët e dependentët nga drogat.

Asnjë nga antagonistët nuk rimbursohet nga Fondi.

Edhe shpërndarja e Metadonit është në vështirësi të mëdha dhe pa asnjë program afat mesëm.

Nuk ka asnjë propagandë të organizuar e studiuar për t’ju kundërvënë këtij fenomeni shkatërrues për individin e shoqërinë në tërësi.

Ka vetëm institucione shtetërore, qendrore e lokale, që janë bërë pjesë në një mënyrë apo tjetër e kësaj të keqe të madhe…!

Për të mos folur sot për grupet kriminale, lidhjet e tyre me shtetin, trafiqet, kriminalizimin e vendit..!

Nuk është hera e parë që unë ngre këto probleme, por fatkeqësisht pa asnjë impakt mbi qeverisjen.