BALLKAN, 18 August 2026, 22:38

"Shkaktari është Kurti dhe të gjithë ata që e pasojnë"/ Ish-kryeministri i Kosovës: Të gjitha institucionet në Kosovë aktualisht janë antikushtetuese

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se aktualisht i gjithë procesi i themelimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet parlamentare ndodhet në një terren jokushtetues.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoti ka argumentuar se Kuvendi nuk është themeluar brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve dhe ka thënë se, për këtë arsye, konstituimi i tij në çdo moment mund të kontestohet.

Hoti ka ngritur kritika edhe për funksionimin e Qeverisë në detyrë. Sipas tij, kjo situatë është jokushtetuese pasi kryeministri në detyrë dhe disa ministra janë betuar si deputetë dhe, sipas ligjit, nuk kanë të drejtë të ushtrojnë njëkohësisht funksione në Qeveri.

Ai ka pretenduar se edhe vendimet e kësaj Qeverie janë të kontestueshme, duke iu referuar një aktgjykimi të Gjykatës Supreme.

Në reagimin e tij, Hoti ka folur edhe për ish-kryetaren e Kuvendit, duke deklaruar se pas betimit si deputete, ajo nuk mund të ushtrojë detyrën e presidentes.

Sipas Hotit, ajo nuk është më kryetare e Kuvendit, pasi legjislatura e kaluar është mbyllur me dhënien e betimit të 120 deputetëve të rinj.

Në fund të reagimit, ish-kryeministri ka bërë përgjegjës kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, dhe mbështetësit e tij për situatën aktuale, duke e akuzuar se vendi është futur në një gjendje kaosi dhe jokushtetutshmërie.

Postimi i plotë i Avdullah Hotit:

“I gjithë procesi i themelimit të institucioneve që duhet të dalin nga zgjedhjet parlamentare është në terren jokushtetues.

1. Kuvendi nuk është themeluar brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga certifikimi i zgjedhjeve. Kurdo që konstituohet, ai mund të kontestohet.

2. Funksionimi i Qeverisë në detyrë është jokushtetues pasi Kryeministri në detyrë dhe disa ministra janë betuar si deputetë, dhe sipas ligjit nuk kanë të drejtë të ushtrojnë funksione në qeveri. Vendimet e kësaj qeverie janë qartësisht të kontestueshme. Për këtë ka një aktgjykim të Gjykatës Supreme.

3. Nga betimi si deputete, ish Kryetarja e Kuvendit nuk mund të ushtrojë detyrën e Presidentes. Ajo nuk është më Kryetare e Kuvendit, pasi ajo legjislaturë është mbyllur me dhënien e betimit të 120 deputetëve të ri.

Shkaktari është Kurti dhe të gjithë ata që e pasojnë. Vetëm dikush që kundër vetë ekzistencës së shtetit të Kosovës e katandis rendin kushtetues në këtë gjendje kaosi dhe jokushtetutshmërie.”