BOTA, 11 October 2026, 12:17

SHBA-ja i ofroi Rusisë tri stimuj ekonomikë për një armëpushim të kufizuar në Ukrainë

SHBA-ja i ofroi Rusisë tri stimuj ekonomikë për një

Të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, i kanë ofruar Rusisë tri stimuj ekonomikë gjatë negociatave të zhvilluara në shtator, në përpjekje për ta bindur Moskën të pranonte një armëpushim të kufizuar në luftën kundër Ukrainës. Lajmi është raportuar nga The New York Times, duke cituar zyrtarë ukrainas të njohur me bisedimet.

Sipas gazetës, zyrtarët ukrainas u befasuan nga shkalla e lëshimeve ekonomike që përfaqësuesit amerikanë ishin të gatshëm t’i propozonin Rusisë. Armëpushimi i mundshëm do të përfshinte ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike ose ndërprerjen e luftimeve në det.

Propozimi i parë lidhej me lirimin e miliarda dollarëve nga asetet sovrane ruse të ngrira në Perëndim. Sipas burimeve të cituara nga gazeta, këto mjete u konsideruan si një nxitje financiare paraprake për arritjen e armëpushimeve të pjesshme, e jo si shpërblim pasi ato të zbatoheshin.

Kjo ide riktheu një propozim të diskutuar edhe vitin e kaluar, kur ishte sugjeruar lirimi i deri në 100 miliardë dollarëve nga fondet e ngrira ruse, transmeton Telegrafi.

Një tjetër nismë parashihte shitjen e një pjese të kompanisë së madhe ruse të naftës Lukoil, në kuadër të një marrëveshjeje me vlerë disa miliardë dollarë, e cila do të përfshinte një grup investitorësh nga Lindja e Mesme. Disa prej këtyre investitorëve, sipas raportimit, kanë lidhje biznesi me negociatorët amerikanë.

Si stimul i tretë, Witkoff dhe Kushner kanë rikthyer një propozim amerikan që do t’i mundësonte Bjellorusisë të eksportonte potas, një lëndë e parë e rëndësishme për prodhimin e plehrave kimike.

Ndërkohë, sipas The New York Times, Ukraina u përpoq të mos i refuzonte kategorikisht propozimet, por kërkoi garanci që do ta mbronin në rast të shkeljes së një armëpushimi.

Ndër masat e propozuara nga Kievi ishte që Ukraina të merrte shuma të barabarta në dollarë me fondet ruse të liruara nga ngrirja. Një tjetër mundësi ishte sigurimi i ndihmës shtesë ushtarake për Ukrainën nëse Rusia do ta shkelte marrëveshjen e armëpushimit.