AKTUALITET, 20 Dhjetor 2019, 13:27

Sfida e fundit për këtë vit, Partizani jep informacion për biletat


Partizani ka hyrë në një krizë rezultatesh, teksa është mposhtur në tre ndeshjet e fundit të kampionatit, duke sjellë edhe shkarkimin e trajnerit Franko Lerda.

Drejtimin e përkohshëm të skuadrës e ka marrë dyshja Renaldo Kalari dhe Genc Tomorri. Megjithatë, ndryshimi në stol nuk solli ndryshim teksa të kuqtë u mundën edhe në Durrës ndaj Teutës.

Ndërkohë, të dielën në kryeqytet ndaj Vllaznisë luajnë ndeshjen e fundit për këtë vit kalendarik. Objektiv i vetëm është rikthimi te suksesi për të mos u shkëputur nga Kukësi kryesues dhe për të hedhur pas krahëve periudhën negative.

Sakaq, klubi ka nxjerrë edhe njoftimin për biletat, të cilat do të dalin në shitje nga dita e nesërme duke nisur nga ora 10:00 te pika e shitjes në stadiumin “Selman Stermasi”.

Nuk ka surpriza në lidhje me çmimet, teksa janë ato të zakonshmet. Kështu, një vend në tribunë do të kushtojë 1000 lekë të rinj, ndërsa në sektorët e tjerë bileta kushton 300 lekë të rinj.