AKTUALITET, 4 Qershor 2021, 22:00

Sali Berisha: Nëse kanë prova le t’i marrin të pandehur Shkëlzenin, Argitën dhe Lirinë...

Sali Berisha: Nëse kanë prova le t’i marrin të pandehur

Ish-kryeministri Sali Berisha mohoi edhe njëherë sot që fëmijët e tij apo bashkëshortja të kenë përfituar qoftë edhe një qindarkë në mënyrë të jashtëligjshme.

Ndërsa komentoi vendimin e DASH për shpalljen non-grata të tij dhe familjes Berisha, ish-kryeministri tha se në qoftë se ka një provë, le t’i marrin 100 herë të pandehur, Argitën, Shkëlzenin apo bashkëshorten e tij Liri Berisha.

“Kam të vërtetën me vete. Fëmijët t’i marrin 100 herë të pandehur. Edhe Lirinë. Në qoftë se për Argitën ka një provë, që nesër. U kam thënë shqiptarëve që për çdo veprim të fëmijëve të mi unë mbaj përgjegjësi.

I kam detyruar fëmijët që dy vite para se të ndryshonte ligji të deklaronin pasuritë njësoj si i ati. Nëse dikush thotë që djali im e ka të ndaluar veprimtarinë private, kjo është Koreja e Veriut ose Enver Hoxha.

Djali im ka dalë si këshilltar ligjor, sepse ka mbaruar dy mastera. Ka aktivitet biznesi që ia ka kontrolluar Edi Rama.

Të paktën 10 herë i ka ndërsyer autoritetin kundër larjes së parave. Fëmijët e mi kanë zbatuar ligjin, nuk kanë fituar kurrë një qindarkë të vetme”, – tha Berisha.

“Del që u pasurua Liri Berisha, që ka 15 vjet që punon si vullnetare për fëmijët me autizëm!”, – ironizoi Berisha në emisionin “Zonë e Lirë”.