AKTUALITET, 4 Shtator 2021, 16:11

Rritja e rasteve me koronavirus, ministrja e Shëndetësisë njofton hapjen e spitalit Covid 3: Kemi riaktivizuar planin e përballimit të situatës

Rritja e rasteve me koronavirus, ministrja e Shëndetësisë njofton

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka njoftuar hapjen e spitalit Covid3 me qëllim përballimin e fluksit të pacientëve të infektuar.

Me anë të një postimi në Facebook, Manastirliu sqaron se është riaktivizuar plani për të përballuar shtimin e rasteve të qytetarëve të infektuar.

Ministrja përsërit se është e rëndësishme që të bëhen sa më shumë vaksinime, me qëllim frenimin e përhapjes së epidemisë.

“Forca ekipit të Spitalit Covid3️ në shërbim në këto momente, i hapur për të përballuar shtimin e rasteve të qytetarëve të prekur nga #Covid19, që kanë nevojë për trajtim spitalor.

Kemi riaktivizuar planin e përballimit të situatës, për t’iu përgjigjur fluksit në spitale, me përforcimin e ekipeve mjekësore, sigurimin e barnave dhe materialeve mjekësore dhe aparaturat jetëshpëtuese, por është #thelbësor vaksinimi masiv, për të frenuar përhapjen e epidemisë në vend dhe lehtësuar pasojat e saj”, thotë ministrja.