TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Presidenti Ilir Meta i është kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama lidhur me rritjen e pagave për mësuesit dhe bluzat e bardha. Me anë të një statusi në rrjetin e tij social, Meta shkruan se ka vetëm dy rrugë që shpjegojnë deklaratën e tij, ose gënjen, ose nuk e njeh ekonominë. Kreu i shtetit vijon dhe shpjegon se fondi i pagave nuk është tregues për rritjen e tyre, dhe duke përdorur të dhënat e INSTAT shkruan se brenda viteve 2006-2013, pagat janë rritur 3.1% më shumë se në 7-vjeçarin e qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
“Pyetjes a janë rritur pagat, Kryeministri i përgjigjet me një krahasim të fondit të pagave, që në fillim të vitit 2021 krahasuar me vitin 2006, fondi i pagave pritet të kalojë nga 45.5 miliard lekë, në 71.1 miliard lekë ose një rritje 56%. I kujtojmë se është një fatkeqësi që Kryeministri i vendit ose nuk e njeh ekonominë ose gënjen.
Fondi i pagave nuk është tregues për rritjen e pagave. Zoti Kryeministër, sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare në sektorin shtetëror në vitin 2006 është 28822 lekë, ndërsa në vitin 2013 arrin në 52150 lekë ose një rritje prej 81% me një rritje vjetore mesatarisht 11.6%. Ndërsa në tremujorin e dytë të vitit 2020 paga mesatare arrin në 63826 lekë ose një rritje krahasuar me vitin 2013, në 22%, me një rritje mesatare vjetore prej 3.1%.
Pra si shikohet pagat janë rritur mesatarisht për çdo vit 3.7 herë më shumë në periudhën 2006-2013, krahasuar me periudhën 2013-2020. Qytetarët shqiptarë meritojnë transparencë maksimale dhe jo mashtrime elektorale!,“-shkruan presidenti.
Kreu i qeverisë, Edi Rama ka lajmëruar rritjen e pagës me 40% për bluzat e bardha dhe 15% për mësuesit. Ndërkohë që gjithashtu Rama lajmëroi se paga minimale do të shkojë në 30 mijë lekë të reja.