AKTUALITET, 11 Janar 2020, 20:02

Rrëzimi i avionit në Teheran, Rouhani i kërkon falje presidentit ukrainas, Zelensky: Autorët të mbajnë përgjegjësi

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani i ka kërkuar falje homologut Zelensky pasi autoritetet iraniane qëlluan ‘gabimisht’ avionin ukrainas duke i marrë jetën 176 personave.

Është vetë Zelensky i cili me anë të një statusi në rrjetet sociale thotë se, Rouhani i ka kërkuar falje. Zelensky i ka kërkuar atij identifikimin e kufomave dhe kthimin e tyre në Ukrainë. Po ashtu ai bën apel që autorët e sulmit të mbajnë përgjegjësi.

"Fola me Hassan Rouhani. Pranimi i sulmit të avionit është një hap në drejtimin e duhur. Unë insistoj që menjëherë të kompletojmë identifikimin e kufomave dhe kthimin e tyre në Ukrainë. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi. Ne mezi presim bashkëpunim të mëtejshëm juridik dhe teknik."- shkruan Zelensky.

Pas disa ditësh debate Irani e pranoi se avioni ishte sulmuar por gabimisht. I pari që pretendoi se mund të ishte një sulm ishte kryeministri kanadez Trudeau i cili kishte prova nga shërbimet e inteligjencës. Më pas SHBA doli krah Ukrainës duke asistuar për hetimin. Qëllimi dhe rrëzimi i avionit ndodhit vetëm disa orë pasi Irani kishte sulmuar me raketa balistike dy kampet ushtarake të SHBA në Irak.