TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Adios Lopetegui, bienvenido Hierro!"
Kjo është rokada e madhe e trajnerëve në stolin e Kombëtares spanjolle.
Por, nëse Hulen Lopetegui u shkarkua një ditë pas marrëveshjes me Realin e Madridit, Fernando Hierro u emërua në mënyrë urgjente, dy ditë para sfidës me Portugalinë e Kristiano Ronaldos.
Por, cila është kronika e kësaj lëvizje të pazakontë dhe të pandodhur më parë në prag të eventit më të madh futbollistik në planet, e për më tepër në një skuadër që ka fituar një herë Botërorin (2010) dhe tri herë Europianin (1964, 2008, 2012)?
[caption id="attachment_116631" align="aligncenter" width="480"]
Ish-trajneri i Kombëtares spanjolle, Hulen Lopetegui[/caption]
FAKTORI REAL MADRID
Pas vetëlargimit të Zinedin Zidan nga kampionët e Europës, vetëm pesë ditë pasi fitoi për herë të tretë rresht Ligën e Kampionëve, Reali i Madridit ishte në kërkim të një trajneri.
Në mediet spanjolle dhe ato ndërkombëtare u përfolën shumë emra, por klubi me më shumë tituj në Spanjë dhe në Europë vendosi të firmosë me trajnerin e Kombëtares iberike. Hulen Lopetegui.
Por, Luis Manuel Rubiales Bejar (40 vjeç), presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit – një ish-mbrojtës i Atletikos së Madridit dhe i njohur me nofkën ‘këmbëngulësi’ – u ndje i tradhtuar nga Lopetegui, një ish-portier i Realit të Madridit dhe Barcelonës, trajneri që e drejtonte Spanjën nga korriku i vitit 2016.
[caption id="attachment_116629" align="aligncenter" width="720"]
Luis Manuel Rubiales Bejar, presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit[/caption]
SHKARKIMI I SHPEJTË I LOPETEGUI
Në fakt, presidenti Rubiales ishte njoftuar nga Lopetegui, vetëm pesë minuta para se Reali i Madridit ta bënte publike zyrtarizimin e tij në bankinën e “Los Blankos”. Rubiales e konsideroi njoftimin si të bërë në “kohën e gabuar”.
"Kjo ka ndodhur pa asnjë informacion paraprak tek Federata Spanjolle, vetëm pesë minuta para një njoftimi për shtyp," tha Rubiales gjatë konferencës për shtyp, "Ju nuk mund të bëni gjëra në këtë mënyrë. Format dhe mënyra se si bëhen gjërat janë të rëndësishme dhe Federata nuk mundi të zbulojë asgjë deri pesë minuta para se të ndodhë", theksoi ai.
Me të drejtën që i jep statuti i Federatës Spanjolle, Rubiales, edhe pse pati kundërshtimin e lojtarëve kryesorë – kapiteni i Spanjës, Serxhio Ramos është njëherësh edhe kapiteni i Realit të Madridit (madrilenët kanë pesë lojtarë në kombëtare) – ai vendosi shkarkimin e trajnerit Lopetegui.
“Ky nuk është një klub, ky është një ekip kombëtar dhe ne jemi lojtarë të ekipit kombëtar”, i thanë Ramos me kapitenët e tjerë të skuadrës, por Rubiales e kishte marrë vendimin.
Kaosi i krijuar vetëm një ditë para nisjes së Botërorit të Rusisë ishte i jashtëzakonshëm, duke qenë në qendër të vëmendjes së medias ndërkombëtare të pranishme në rezidencën ruse të Spanjës në Krasnodar.
[caption id="attachment_116633" align="aligncenter" width="720"]
Fernando Hierro, trajneri i ri i Spanjës[/caption]
EMËRIMI URGJENT I HIERRO
Fernando Hierro, një legjendë futbollistike te Reali i Madridit, ishte në detyrën e Drejtorit Sportiv të kombëtares së Spanjës (nga nëntor 2017), u gjet si alternativa zëvendësuese emergjente për detyrën e trajnerit, për më tepër që ishte me skuadrën në Rusi.
Hierro ka drejtuar vetëm një ekip në karrierën e tij të shkurtër si trajner – Oviedon e kategorisë së dytë spanjolle, por vlerësohet shumë për aftësitë e tij, dhe sidomos për njohjen e ambientit të kombëtares, për më tepër që ai vetë ka qenë një qendërmbrojtës i shkëlqyer i Spanjës (numëron 89 ndeshje/ 29 gola).
Mediet kryesore sportive spanjolle e kanë pritur mirë emërimin e Fernando Hierros, dhe besojnë se ai do të risjellë atmosferën e munguar gjatë orëve të fundit.
/TPZ.AL/