AKTUALITET, 23 July 2026, 22:08

Rënia e euros, eksperti Zef Preçi: Në 4-5 vitet e fundit kemi përmbytje me euro dhe shumica qarkullon jashtë bankave

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, duke komentuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV zhvlerësimin e fortë të monedhës euro, u shpreh se në vitet e fundit vendi është përmbytur me monedhën euro, e cila qarkullon më shumë jashtë kanaleve bankare.

“Prej mijëra vitesh njerëzit shkëmbejnë produktet e tyre dhe ky shkëmbim bëhet përmes parasë. Në rastin e çmimit duke qenë një mall i zakonshëm, paraja ka një çmim që rregullohet nga mekanizmi i kërkesë- ofertës. 

Gjatë 35 viteve të fundit nëse ka një arritje që duhet vlerësuar është pikërisht kursi i lirë i këmbimit të monedhës sonë kombëtare lekut me monedhat e vendeve të tjera. 

Kjo është një arritje që e ka vendosur Bankën e Shqipërisë në pozicionin për të mbështetur zhvillimet makroekonomike kryesisht përmes mekanizmave të tregut ndërbankar dhe njëkohësisht kursit të këmbimit, që do të thotë që kujdeset që inflacioni të jetë brenda parametrave të parashikuar dhe natyrshëm të mos afektojë kursin e luhatshëm të këmbimit dhe të pranohet gjerësisht nga palët që shkëmbejnë produktet brenda dhe jashtë vendit. 

Në rastin e zhvillimeve sidomos 4-5 viteve të fundit të gjithë i shmangen një shpjegimi që mekanizmi është ofertë-kërkesa që ka një përmbytje me monedhë të fortë euro dhe pse një pjesë e mirë e parasë në 10 vitet e fundit qarkullon jashtë bankave. 

Prishja e këtij ekuilibri ka bërë që p.sh, nëse ka shumë domate në treg çmimi bie dhe e kundërta, pra në rastin e euros ka shumë monedhë në treg dhe mbiçmimi i lekut nuk pasqyron fuqinë ekonomike që Shqipëria duhet të kishte. Shpjegimi i vetëm i pranuar i shpjeguar është mekanizmi i kërkesë-ofertës”- tha eksperti Preçi.