AKTUALITET, 15 Maj 2020, 18:33

Rama: Nga e hëna gjithçka e hapur, ja aktivitetet që do të mbeten të mbyllura

Rama: Nga e hëna gjithçka e hapur, ja aktivitetet që do të

Në një komunikim në “ERTV”, kryeministri Rama u shpreh se në këtë fazë të hapjes së vendit duhet të bëjmë shumë kujdes, pasi nëse numrat do të lëvizin, do të jetë shumë problem.

“Duhet të flasim qartë mbi një moment që është jashtëzakonisht delikat kur po hapemi dhe po ekspozohemi natyrshëm çdo ditë e më shumë rrezikut të infektimit. Siç e keni parë, edhe ministrja e Shëndetësisë u detyrua të dalë në konferencën e përditshme, pikërisht për të lëshuar një mesazh të shkurtër dhe të qartë se, numrat po lëvizin. Lëvizja e numrave, nëse do të vazhdojë të jetë kështu, atëherë do të jetë një problem. Dua ta përsëris që në këtë situatë, secili prej nesh është vendimtar. Sjellja në raport me rregullat është decizive sepse në raport me hapjen nuk është një çështje ekskluzive e policisë apo autoriteteve, por është më shumë çështje e vetëdijes”, u shpreh Rama.

Më tej, Rama theksoi se nga e hëna, nuk do të kemi asgjë tjetër të mbyllur veç transportit publik, aktiviteteve sportive dhe atyre kulturore, por kërkoi kujdes.

Kryeministri Edi Rama ka listuar të gjitha bizneset që nuk mund të hapen pas 18 majit.

Rama thotë se përveç transportit publik, baret dhe restorantet në ambiente të mbyllura, palestra, teatro, kinema, klube nate, lokale lodrash nuk mund të hapen, gjithçka tjetër hapet.

”Transporti publik është problem i madh në këto kushte. Dhe me të drejtë shumëkush prej jush është i shqetësuar, por nuk e hapim dot ende. Pra hiq transportin publik, hiq baret dhe restorantet në mjedise të mbyllura, hiq palestra, teatro, kinema apo klube nate apo lokale lodrash, gjithçka tjetër do jetë e hapur.

Pra ekspozimi do jetë shumë i madh. Me baret dhe restorantet jam përpjekur ta ilustroj dhe me shembuj nga burime ndërkombëtare, sepse është kaq e rrezikshme të ulesh në bar apo restorant dhe mos respektosh rregullat dhe protokollin. E kuptoj që ruajtja e distancës është shtrëngesë, pasi nuk do kesh aq tavolina sa do doje, por duhet".

"Sigurisht që do mbetemi përsëri besnik të numrave në përcaktimin e zonave të gjelbra apo të kuqe. Dhe Komiteti sheh numrat dhe ndërkohë modeli nuk bazohet tek një numër, por një sërë komponentësh. Nuk është çudi që një zonë e gjelbër të kërcejë në të kuqe. Apo një zonë e kuqe të bëhete gjelbër. Lërini broçkullat për kotësinë e gjithë kësaj. 

"Tek zonat e kuqe do kemi disa kufizime. Më pyesin pse mbahen fashat orare, se virusi nuk del në mëngjes dhe hyn në darkë. Quhen të tepërta daljet kur ti je zonë e kuqe dhe duhet të mbrohesh, me një hapje relative. Nëse nuk kemi fashë orare, atëhere njësoj si në zonë të gjelbër dhe të kuqe, baret hapur, freski e ëmbël, diell dhe pastaj stimulojmë”,- tha Rama.