TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Autoritetet zyrtare në Tiranë thonë se gjatë këtyre muajve mjaft shembuj në botë të testimit masiv duke nisur nga Italia, nuk dhanë rezultat. Zv. ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli në një intervistë për Zërin e Amerikës shprehet se Shqipëria e ka nën kontroll situatën epidemiologjike.
“Strategjia jonë e testimit ishte një strategji e zgjuar. Ne testonim rastin e dyshuar, atë që kishte shenja dhe në bazë të hetimit epidemiologjik kontaktet e ngushta të këtyre personave. Vërtet kemi numër më të ulët të testimit në krahasim më vendet e rajonit, por situatën epidemiologjie e kemi më të kontrolluar. Numri i fataliteteve përshembull, vetëm Serbia e ka pak më të ulët se ne. Pra nuk ka asnjë lloj korelacioni mes testimit dhe rezultatit”, thotë për Zërin e Amerikës Mira Rakacolli, Zv. Ministre e Shëndetësisë.
Autoritetet shëndetësore i përgjigjen kritikave për mbingarkesë të spitaleve Covid në Tiranë duke thënë se kanë 550 shtretër dhe 30% e tyre janë të lira aktualisht. Në total në të gjithë vendin në planin rezervë të përfshirjes për trajtim edhe të 5 spitaleve rajonale janë 1600 shtretër gjithsej, aktualisht 75% e tyre të lira, ndërsa ka dhe rezerva të tjera nëse do të duhen sqaron Zv Ministrja e shëndetësisë. Në lidhje me centralizimin e shërbimit në Tiranë Zonja Rakacolli jep këtë argument.
Kemi vendosur që kjo është alternativa më e mirë edhe për një mirmenaxhim të burimeve njerëzore. Spitalet rajonale sot për sot po përballin urgjencën. Bëjnë vlerësimin kur ju shkon i sëmuri. Nëse ata e gjykojnë se është infektuar më Covid, atëherë ata e dërgojnë për një trajtim më të specializuar në strukturat e dedikuara për COVID në Tiranë”, shprehet Mira Rakacolli.
Specialistët e sistemit shëndetësor thonë se nuk mungojnë kapacitetet njerëzore dhe laboratorike por shtimi i testimit solli një fluks të menjëhershëm, një vështirësi që u kapërcye sqarojnë ata, duke njoftuar se laboratorët privatë po vleresohen nga një grup specialistësh për të shmangur rikonfirmimin në ISHP, pa të cilin mjeku i familjes aktualisht nuk lëshon recetë. Hapi tjetër lidhet me testet e shpejta.
“Komiteti teknik i ekspertëve ka miratuar hyrjen në tregun shqiptar të testeve të shpejta. Ka dalë dhe udhëzuesi mbi këto teste, të cilat janë planifikuar që do të aplikohen nga institucionet shtetërore, urgjencat e spitaleve nga poliklinikat, nga mjeku i familjes dhe shumë shpejt këto do jenë aktive dhe funksionale”, shprehet për Zërin e Amerikës Dr. Eugena Tomini, Instituti i Shëndetit Publik.