SPORT, 21 Gusht 2021, 10:20

PSG “shpërthyes” dhe pa yje por mbrojta shqetëson Pochettino, nis domini i Ligue 1

PSG “shpërthyes” dhe pa yje por mbrojta shqetëson

Tre fitore në tre në këtë start të Ligue 1 dhe të mendosh që në fushë ende nuk kanë zbritur “peshat e rënda”, Messi me shokë.

PSG vijon dominim total në Francë, në fakt ky nuk është një lajm, pasi kjo ishte e pritshme, por jo të gjithë e bënë gjumin e qetë në Paris, mbi të gjitha trajneri Pochettino.

Ekipi i tij ka një potencial shumë të madh në fazën ofensive por në mbrojtje çalojnë jo pak.

Të pësosh dy gola nga Brest nuk është një lajm i mirë, jo vetëm kaq, por thuajse në çdo zbritje të ekipit vendas ishin në panik.

Fitorja 4-2 duket se fshin çdo gabim por në këtë rezultat një dorë i dha edhe portieri i Brest, thuajse çdo top që i shkoi në kuadrat përfundoi në rrjetë si në minutën e 23-të ku mund të bënte diçka më shumë në goditjen e Herrera.

Në të 36-tën ishte Kylian Mbappe që me kokë, si rrallë herë, arriti të dërgoi topin në rrjetë duke dyfishuar shifrat. Në fundin e pjesës së parë vendasin ngushtuan rezultatin në 1-2 me Honorat.

Parisienët hasën jo pak vështirësi për të mbyllur sfidën, në minutën e 73-të Gueye me një goditje nga distanca, me ndihëm edhe të portierin, arriti të realizojë golin e tretë për PSG.

Brest u rikthye sërish në lojë në minutën e 85-të teksa Mounie i bëri tunel mes këmbëve Navas duke ngushtuar shifrat në 2-3.

Për të hipotekuar fitoren e tretë të PSG mendoi Angel Di Maria me një parabël të bukur në minutën e 90-të. Nuk kishin mundësi të debutonin me ekipin e ri Donnaruma dhe Messi, të dy e ndoqën ndeshje nga bankina.