AKTUALITET, 16 Maj 2018, 10:04

“Pse më sheh”, sherr para shkollës, dy vëllezër i plagosin me kaçavida

“Pse më sheh”, sherr para shkollës, dy vëllezër

Një sherr për motive banale ka ndodhur dje pranë shkollës së mesme profesionale në Vlorë. Tre persona kanë plagosur me kaçavida dy vëllezër nga fshati Panaja i Vlorës. Policia tha se ka ndaluar njërin prej autorëve, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Ndërsa i treti është nën 18 vjec ndaj po ndiqet në gjendje të lirë. Burimet thanë se sherri ka lindur krejtësisht kot, ku 3 të rinjte (autoret) kanë debatuar me dy vellezerit vetem për faktin se ata po i shikonin…

“Në pranga ka rënë Serxhjo Bedinaj, 23 vjeç, banues në Vlorë. Do të procedohet penalisht në gjendje të lirë për shkak të moshës shtetasi i mitur B.B. Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit, M.G., 24 vjeç, banues në Vlorë.

Të tre shtetasit e mësipërm, në lagjen “Pavarësia”, pranë shkollës së mesme profesionale, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë një konflikti fizik për motive banale kanë plagosur me mjete prerëse-shpuese, shtetasit N.A., 18 vjeç dhe E.A., 18 vjeç, (vëllezër), banues në Panaja, Vlorë, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në spital dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën. Po punohet për kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 88 dhe 25 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë së Vlorës.