TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë” pritet t’i heqë të drejtën qeverisë për të pezulluar anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës dhe për t’i kërkuar Kuvendit shkarkimin e tyre.
Ligji në fuqi parashikon se çdo anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, duke përfshirë guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët mund të pezullohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave dhe të shkarkohet nga Kuvendi, në qoftë se përmbushen disa kushte kushte të caktuara, si në rastin kur është në pamundësi për të shërbyer në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë; është dënuar nga gjykata për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim; është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose është deklaruar i falimentuar dhe nuk është rehabilituar; është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë; apo gjatë ushtrimit të detyrës, në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike.
Kjo hapësirë ligjore u përdor nga qeveria në vitin 2019 për të pezulluar anëtarin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj, i cili u shkarkua më tej nga Kuvendi i Shqipërisë.
Ndërkohë, sipas projektligjit të ri, anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës do të mund të shkarkohen nga Kuvendi përpara përfundimit të mandatit të tyre vetëm me propozimin e vetë Këshillit, në rast se konstatohet ndonjë nga kushtet e papajtueshmërisë me funksionin, si në rastin kur është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për çdo vepër penale për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim; kur është ndaluar ose pezulluar nga ushtrimi i një funksioni publik ose profesioni, ose ndaj tij janë marrë masa të rënda disiplinore që cenojnë besueshmërinë ose integritetin e tij profesional; kur provohet se ka marrë pjesë në veprimtari politike aktive ose në veprimtari të cilat ligji i përkufizon si në konflikt interesi me detyrën e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës.
Gjithashtu, Këshilli mund t’i rekomandojë Kuvendit, me votim unanim, një rekomandim për shkarkim të njërit prej anëtarëve, në rast se konstaton se anëtari nuk është në gjendje të ushtrojë funksionet e tij ligjore, bazuar në prova.
Në të dy rastet e parashikuara më sipër, Këshilli duhet të njoftojë anëtarin ndaj të cilit ka filluar procedura e shkarkimit, i cili ka të drejtë t’i paraqesë Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për shqyrtimin e vlefshmërisë së propozimit ose rekomandimit brenda 15 ditëve nga data e njoftimit. Paraqitja e kërkesës do të pezullojë çdo procedurë shkarkimi në Kuvend, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese brenda 60 ditëve.
Heqja e të drejtës së qeverisë për të propozuar largimin e një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës duket të jetë një propozim që, të paktën në teori, tenton të forcojë pavarësinë e Bankës Qendrore nga pushteti ekzekutiv.