AKTUALITET, 7 Maj 2020, 19:35

Privatizimi i Gjykatës së Lartë, lindja e ‘drejtësisë së plepave’ varianti II

Privatizimi i Gjykatës së Lartë, lindja e


Nga Neritan Sejamini

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit ka firmosur me Agjencinë amerikane të Zhvillimit Ndërkombëtar (USAID) një memorandum që parashikon krjimin pranë Gjykatës së Lartë të një trupe ndihmësash ligjorë, të cilët do të trajtojnë 35 mijë dosjet që presin të shqyrohen.

Këta punonjës, praktikisht, do të përcakojnë nëse një çështje e paraqitur në Gjykatën e Lartë do të pranohet të shqyrtohet apo refuzohet prej saj—ata do studiojnë çështjen dhe do të përgatisin relacion për vendimet e gjykatave, pretendimet e palëve, problemet ligjore, si dhe do të japin mendim nëse rekursi duhet pranuar apo refuzuar, në bazë të të cilit gjyqtarët do të vendosin të refuzojnë apo marrin në gjykim çështjen.

Ndihmësat janë quajtur nëpunës për uljen e numrit të çështjeve të prapambetura (NUNÇP). Ky emërtim, pa lidhje me drejtësinë, duket se nuk është i rastësishëm—termi ndihmës ligjor është shmangur qëllimisht, sepse përzgjedhja dhe punësimi i nunçpa-ve tyre do të anashkalojë standardet kushtetuese dhe ligjore për ndihmësat ligjorë, edhe pse nunçp-ët do të kryejnë saktësisht detyrën e ndihmësave ligjorë.

Memorandumi parashikon që nunçp-at do të përzgjidhen, kontraktohen dhe do të paguhen nga East West Management Institute (EWMI), një organizatë private e kontraktuar nga USAID për të zbatuar projektin Justice for All. EWMI do të jetë gjithashtu përgjegjëse për trajnimin e tyre, vlerësimin e ecurisë dhe për pushimin e tyre nga puna.

Përzgjedhja e nunçpa-ve nuk do respektojë asnjë nga standardet për ndihmësat ligjore të Gjykatës së Lartë.

Sipas ligjit ndihmësat gjyqësorë, sipas pozicionit në Gjykatën e Lartë, duhet të plotësojnë kushtet që të jenë gjyqtarë të gjykatës së shkallës së parë ose të gjykatës së apelit dhe paguhen me të njejtin nivel.

Kjo do të thotë se ndihmësat ligjorë duhet të kenë përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Kushtetuta përcakton, gjithashtu, se ata duhet t’i nënshtrohen vetingut, ndërsa ligjet për organet e drejtësisë përcaktojnë se ata duhet të plotësojnë të gjitha standardeve profesionale, etike dhe të konfliktit të interesit që i nënshtrohen anëtarët e Gjykatës së Lartë.

Asnjë nga këto kritere nuk do të zbatohet për nunçpa-at—ata jo vetëm nuk kanë varësi nga Gjykata e Lartë, por nuk ka nevojë të kenë mbaruar magjistratutën, nuk kanë nevojë të kenë përvojë, nuk kanë nevojë të kenë kritere strikte profesionale.

Mungesa e përvojës dhe shkollimit do të kompensohet me një kurs pak javor, edhe më skandaloz se përgatitja e të ashtuquajturve “gjyqtarëve të plepave” në vitin 1993, kur përmes një kursi të posaçëm ambulant u përgatitën jo jurist si gjyqtarë që zëvendësuan një pjesë të trupës gjykuese te trashëguar nga komunizmi.

Ata jo vetëm që nuk do t’i nënshtrohen vetingut, madje nuk kanë asnjë detyrim të bëjnë deklarimin e pasurisë dhe as të konfliktit të interesit. Ata nuk do të gëzojnë asnjë status dhe nuk japin asnjë siguri për asgjë si gjatë ashtu edhe pas.

Memorandumi, praktikisht, privatizon një segment të rëndësishëm të drejtësisë, duke krijuar në Gjykatën e Lartë një trupë juridike pa asnjë lidhje varësie dhe llogaridhënie në institucionet kushtetuese shqiptare dhe pa asnjë mekanizëm supervizimi dhe kontrolli ndaj saj.

Pika e fundit e memorandumit shprehet se ai nuk është i detyrueshëm për palët dhe EWMI dhe USAID nuk mbajnë përgjegjësi e nuk mund t’u kërkohet përgjegjësi, as sipas ligjit ndërkombëtar, për pasojat e zbatimit të memorandumit.

EWMI mund të dështojë, mund të abuzojë së bashku me nunçp-at, por ajo nuk mban përgjegjësi para askujt.

I gjithë memorandumi është rast i pastër ultra vires—veprim që mund të bëhet vetëm me autoritetet ligjor, por që bëhet jashtë autoritetit ligjor.

Vetë EWMI është organizatë e debatuar, si për shkak të mbështetjes e financimit në të shkuarën nga filantropisti amerikan Xhorxh Soros, ashtu edhe për rezultatet e dobta të saj në zbatimin e projektit $10 milionë Justice for All—veçanërisht komponentët e medias dhe shoqërisë civile të të cilit kanë harxhuar miliona pa sjellë ndonjë ndikim domethënës.

Mbi të gjitha, EWMI e ka menaxhuar projektin pa asnjë lloj transparence—nuk ekziston asnjë vlerësim, asnjë analizë, asnjë rezultat publik i projektit, madje as ndonjë faqe në rrjet për të—duke zgjedhur të bëjë publike vetëm kronika propagandistike aktivitetesh.

Zyra e EWMI-t në Tiranë ka aftësi minimale për punën që po merr përsipër—ajo ka një staf me vetëm tre ekspertë, mes të cilëvë, ironikisht, një person që vetingu e përjashtoi nga sistemi i drejtësisë.

Pikërisht, mungesa e çdo detyrimi llogaridhënie dhe mekanizmi kontrolli mund t’i hapë rrugë korruptimit të trupës NUNÇP: është më e lehtë dhe thuajse pa pasoja të korruptosh një nunçp, që punon me kontratë 10 mujore dhe pastaj kthehet në jetën private, se një gjykatës apo ndihmës ligjor që ka status të veçantë, standarde strikte profesionale që duhet të zbatojë dhe një sërë institucionesh që e supervizojnë dhe disiplinojnë.

Viktimat e këtij mekanizmi do të jenë sërish qytetarët shqiptarë, të cilët pasi kanë vuajtur pasojat e një drejtësie të korruptuar dhe të paaftë, pasi kanë përballuar disa vite mungesën e Gjykatës së Lartë, tani do t’u duhet të përballen sërish me një trupë drejtësie të paaftë, pa përvojë dhe që nuk i jep llogari askujt.

Memorandumi midis USAID-it dhe KLGJ-së nuk bazohet në asnjë përcaktim kushtetues dhe në asnjë ligj. Me nënshkrimin e tij, KLGJ-ja praktikisht ka privatizuar kompetencat e saj dhe të Gjykatës së Lartë tek një trupë private në kundërshtim me Kushtetutën dhe me çdo ligj të vendit, si dhe me ligjet dhe praktikën ndërkombëtare.

KLGJ ka shkelur gjithashtu standardet europiane të ndihmës ligjore, që bazohen kryesisht në dy modele, atë francez Référendaire dhe atë gjermano-austriak Rechtspfleger.

Është kjo arsyeja që ky memorandum është kundërshtuar me forcë nga misioni i BE-së Euralius dhe nga Delegacioni i BE-së, por të cilët nuk arritën në fund të ndalonin firmosjen e tij.

Si rezultat, gati 30 vjet pas përvojës skandaloze me “drejtësinë e plepave”, shqiptarët do të provojnë variantin II të kësaj drejtësie: Gjykatë të Lartë “plepash”. Këtë herë “plepat” janë edhe privatë.

exit.al