BOTA, 24 August 2026, 12:55

Presioni i SHBA ndaj aleatëve të Iranit: Ndaloni bashkëpunimin! Teherani kërcënon Bullgarinë dhe vendet e tjera: Po ndihmuat amerikanët, do t'ju godasim!

SHBA po përgatitet të rrisë ndjeshëm presionin ekonomik ndaj Iranit.

Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, paralajmëroi se Uashingtoni po hyn në “fazën e fundit të lojës” dhe se një “D Day ekonomike” ndaj Teheranit është pranë.

Bessent tha se objektivi është ndërprerja e burimeve financiare të Iranit dhe goditja e vendeve e kompanive që vazhdojnë të blejnë naftën iraniane, lehtësojnë transportin e saj apo kryejnë transaksione me bankat iraniane. Ai paralajmëroi për “pasoja” ndaj atyre që vijojnë bashkëpunimin me Teheranin.

Presidenti Donald Trump ka bërë paralajmërime të ngjashme, duke deklaruar se vendet që vazhdojnë biznesin me Iranin do të përballen me pasoja të rënda ekonomike. Uashingtoni synon që presioni ta detyrojë Teheranin të rikthehet në negociata.

Ndërkohë, Irani ka ashpërsuar paralajmërimet ndaj vendeve që mund të ndihmojnë SHBA-në. Ministria e jashtme paralajmëroi Bullgarinë se përdorimi i territorit apo infrastrukturës së saj në një sulm ndaj Iranit do të konsiderohej “akt agresioni”.

Teherani ka kundërshtuar gjithashtu raportimet për hapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit, duke i cilësuar ato si pjesë të “luftës së propagandës”.

Në këtë klimë tensioni, ministri i Jashtëm i Omanit, Al-Busaidi, pritet të vizitojë Teheranin për bisedime me homologun iranian, Abbas Araghchi. Në fokus pritet të jenë zhvillimet rajonale dhe situata në Ngushticën e Hormuzit.