TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ditën e sotme, qytetarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin. Nuk kanë munguar urimet nga politikanët e vendit, të cilët janë gjithmonë të gatshëm t'u bashkohen festave dhe ritualeve që i bëjnë të duken më afër me njerëzit.
Kryeministri Edi Rama, ka thënë mirëmëngjes, si çdo ditë dhe ka postuar një video ku uron besimtarët myslimanë, pa harruar të promovojë "kantieret" e Rilindjes.
"MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje nga kantieret e shumta të punës për rimëkëmbjen e xhamive në mbarë vendin që janë pjesë e thesarit tonë të trashëgimisë historike e kulturore, ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë
GËZUAR KURBAN BAJRAMIN "
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zgjedhur një status në rrjetet sociale, për të kryer edhe ai urimin përkatës.
"Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë dhe shqiptarëve kudo ku janë, Gëzuar Kurban Bajramin! Sot në Festën e Flijimit që kremton mposhtjen e egos dhe forcën e besimit në Zot, mendimet dhe lutjet e mija shkojnë në veçanti tek të pamundurit, të braktisurit, dhe të nëpërkëmburit. Mesazhi i kësaj feste dëshmon se nuk ka sprovë që nuk kalohet me besim tek Zoti dhe dashuri për Atdheun, familjen dhe njëri-tjetrin. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!", shkruan Basha dhe poston foton e mëposhtme.
Presidenti Ilir Meta ka postuar gjithashtu një status të gjatë në rrjetet sociale, ku uron besimtarët myslimanë kudo ku ndodhen.
"Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë!
Dita e shenjtë e Kurban Bajramit na kujton ripërtëritjen e ndjenjave të besimit, të devotshmërisë, të thjeshtësisë e të përuljes para të Plotfuqishmit.
Kjo ditë feste e bashkimi, simbol i sakrificës sublime, thekson besimin e patjetërsueshëm ndaj vlerave më të mira fetare e njerëzore, duke na ftuar të ndajmë begatinë tonë me më të vobektit, me më të pafatët dhe me ata që gjenden në nevojë.
Mbi gjithçka kjo Festë përjetëson e vërteton harmoninë dhe bashkëjetesën fetare proverbiale, që e ka karakterizuar kombin tonë prej shekujsh.
Në këtë ditë të shenjtë dëshiroj të uroj besimtarët myslimanë shqiptarë kudo ndodhen:
Gëzuar dhe përshumëvjet Festën e Kurban Bajramit!
Ju uroj nga zemra sa më shumë mirësi, solidaritet, mirëkuptim e dashuri në familjet tuaja si dhe mes njëri-tjetrit, të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë!
Sa më tepër paqe, tolerancë, mirëbesim e begati!
Zoti i ndihmoftë shqiptarët dhe Shqipërinë për jetë të jetëve!
??
/TPZ.AL/