TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në maj të vitit 2006, kur Aldo Bare u arrestua në Turqi, mediat italiane e komentuan këtë si një sukses absolut të SISMI, njësisë së inteligjencës së asaj kohe me bazë në Romë, e cila kishte organizuar aksionin.
Ishte një nga operacionet më të rëndësishme për kohën, pasi Banda e Lushnjës kishte nisur të zgjeronte aktivitetin kriminal drejt Romës dhe Milanos. Një hetim 4-vjeçar ku ishin kapur 319 kilogramë heroinë, 2 kilogramë kokainë, 155 kilogram përzierës, vite vëzhgime dhe përgjime telefonike, finalizuar me kapjen e Aldo Bares, por jo vetëm.
17 vetë u arrestuan në Itali si pjesë e organizatës kriminale, mes tyre edhe Edmond Bego, trafikanti i drogës që në Tiranë arriti t’ia dalë të kthehet pas disa vitesh si një biznesmen i suksesshëm ndërtimi. Gazeta italiane “La Reppublica” e cilësonte që në vitin 2006, Begon me rol të rëndësishëm në grupin kriminal.
“Baza e parë logjistike e grupit kriminal ishte në Torino. Kohët e fundit organizata po i zgjeronte kufijtë e saj. Ishin ndarë në dy pjesë në Itali: një bazë në Milano, që drejtohej nga Edmond Bego, shqiptar 36 vjeç. Tjetra në Romë, drejtohej nga Enver Dondollaku, shqiptar, 31 vjeç. Droga vinte nga portet e Barit dhe të Ankonës, e fshehur me mjeshtëri nëpër kamionë. Pastaj transportohej nëpër Itali në shumë pika shpërndarjeje”- shkruante e përditshme italiane në atë kohë.
Por Bego arriti t’i shpëtojë drejtësisë për më shumë se 3 vjet. Ai u arrestua në Tiranë në 24 dhjetor 2009, me urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata e Apelit të Torinos. Një muaj e gjysmë më pas, (11 shkurt 2010) Prokuroria e Përgjithshme i dërgoi Policisë së Shtetit kërkesën për njohje të dënimit të dhënë nga Gjykata e Apelit të Torinos në Itali.
7 muaj më pas (15 shtator 2010), Gjykata e Lartë në Shqipëri bëri njohjen e vendimit dhe e dënoi përfundimisht me 4.4 vite burg, Edmond Begon. Ai u lirua me kusht pasi bëri më pak se 2 vite burg duke u liruar përfundimisht më 24 nëntor 2011.
Lidhjet e Begos me politikën
Prej 7 vitesh Mond Bega ia kishte dalë të kthehej në një biznesmen, kryesisht në fushën e ndërtimit. Ai u bë i njohur edhe si president i klubit të futbollit të Lushnjës për një periudhë kohe. I pari që foli për lidhje të Mond Begës me politikën duke përmendur edhe emra ishte gazetari Flamur Vezaj.
“Edmond, Mondi Manoli, etj etj Befa, Bego. Sipërmarrës, biznesmen, mik politikanësh, trafikant droge?! Në sistem rezulton i kërkuar, por në Shqipëri me politikanët e duhur kërkimi është më shume CV, sesa telash. Ruçi, Balla Veliaj, Rama thua miqësitë e tij janë kaq të pakta?!?!” – shkruante Vezaj duke shtuar: “Duket se ne Shqipëri Bego ka qene i patrazuar, madje nen shoqëri e mbrojtje politike dhe biznesesh. Në nëntor të 2014-së Bego kërkon nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore leje minerare te cilën e mundëson ne vitin 2015 pasi ka regjistruar subjektin Inertr Expres ku është administrator.
Biznesi i ndërtimit merr shtat edhe ne Tirane me pallate por dhe pune publike. Sa i ka dhene apo premtuar Veliaj??! Një vit më vonë Mondi Bego me të njëjtat të dhëna të të arrestuarit ka hapur një tjetër shoqëri SGB sipas ekstraktit te QKB këtë herë sërish vetë administrator ka diversifikuar portofolin e idesë së investimeve. Dhe qendra e zyrave te firmës së re nuk është më në Elbasan, por në Lezhë. Këtu krahas inerteve ka dhe transport hidrokarburesh dhe bojërash si dhe shitblerje automjetesh” – shkruan gazetari.
Partia Demokratike shkoi edhe më tej. Nënkryetari Edi Paloka sfidoi Taulant Ballën të përgjigjet nëse i ka dhënë mbrojtje politike këtij njeriu. Një ditë me pas edhe deputeti Enkelejd Alibeaj bëri të tjera pyetje.
“Taulant Balla duhet t’u shpjegojë shqiptarëve: Çfarë e lidh me trafikantin e drogës, të shndërruar në biznesmen të fuqishëm këto dy vitet e fundit? Sa herë ka komunikuar me Edmond Begën në numrin e telefonit 0682049189? A është Taulant Balla sekser për miliona euro punë publike të marra nga kompania e ndërtimit të narko-trafikantit biznesmen?”.
Vetë Balla ka bërë deri tani një gjysmë-reagim duke e bërë ironi me akuzat dhe duke i quajtur ato skenar të ngjashëm me “Babalen” duke lënë të kuptohet se do të padisë demokratët në prokurori.
Policia e shtetit bëri një deklaratë të gjatë duke theksuar se ky person nuk është në kërkim, as nga shteti shqiptar dhe as nga ndonjë shtet tjetër. Po atëherë përse u ndalua nga policia greke? Në gjykatën e Igumenicës, biznesmeni 48-vjeçar tha se e kishte kryer një herë dënimin e dhënë në Itali, por kjo nuk iu mor parasysh. Ai do të qëndrojë në qeli derisa shteti italian të thotë fjalën e fundit. Gjithsesi ky arrestim nuk pritet të kalojë pa trazuar edhe një herë politikën e Tiranës në këto ditë të nxehta gushti pasi edhe ky duket se është një tjetër nga rastet e shumta ku përzihet krimi, politika dhe biznesi. /LAPSI.al