AKTUALITET, 15 Maj 2021, 16:10

Policia në aksion për të parandaluar vjedhjet, por kap shqiptarin me 80 mijë euro kokainë!

Policia në aksion për të parandaluar vjedhjet, por kap shqiptarin

Policia italiane në qytetin Spoleto ka arrestuar një shqiptar, i cili u kap me një sasi prej 1.2 kg kokainë.

Sipas mediave italiane, i arrestuari është një 41-vjeçar, i cili u pikas nga policia teksa kjo e fundit ishte në një aksion për parandalimin e vjedhjeve.

Karabinierët vunë re një person të dyshimtë, i cili doli nga garazhi. Qëndrimi jo i sigurt i 41-vjeçarit shqiptar, bëri që policia ta ndalonte dhe gjatë kontrollit në garazh i zbuloi sasinë e lëndës narkotike.

Policia konstatoi së shqiptari e kishte shndërruar garazhin në një laborator të paketimit të drogës.

Nga kontrolli në banesë iu gjetën edhe 7 mijë euro, ndërsa u vlerësua se nëse droga do të hidhej në treg do kapte shifrat e 80 mijë eurove.

Shqiptarit iu sekuestrua edhe celulari, nga i cili mund të zbulojnë më shumë rreth këtij rrjeti të trafikut të drogës.