AKTUALITET, 10 Korrik 2020, 14:15

Pirueta me listat e hapura/ Rama: Nuk shantazhohemi, pamundësohen koalicionet parazgjedhore

Pirueta me listat e hapura/ Rama: Nuk shantazhohemi, pamundësohen


Edi Rama foli për ndryshimin e sistemit për të realizuar listat e hapura, dhe bëri të qartë se në këtë mënyrë pamundësohen koalicionet parazgjedhore.

Rama thotë se edhe për këtë ka një zgjidhje, pasi subjektet mund të arrijnë marrëveshje për të dalë me një subjekt unikal brenda një liste të përbashkët.

“Sa i përket pjesëve të tjera. Jemi në kushtet kur po përpiqemi të gjitha palët të kenë zërin e tyre, vendin e tyre.

Të marrin nga procesi ato që duan. Patjetër që listat e hapura, e bëjnë të pamundur, formulën e koalicioneve.

Se i bie që në një fletëvotimi të kemi llogariteni aritmetikisht, 40 parti këtej, 40 andej, nga 35 secili në Tiranë, një fletë votimi që do ishte një qylym nga Universiteti tek monumenti i Skënderbeut. Por kjo nuk do të thotë që të pengojmë që subjektet të bëjnë marrëveshjet e tyre dhe të kenë subjekt unikal.”- tha Rama, i cili vazhdoi duke thënë se nuk po cënohet marrëveshja e 5 qershorit, dhe se opozita nuk duhet të bëjë presione e shantazhe.

Sistemi nuk preket, mekanizmi korrektues është në funksion të asaj që palët gjykojnë si përmirësim. E fundit që kam, lidhja e këtij procesi dhe vënia e kujës se duke u prishur marrëveshja e 5 qershorit po bëhet diçka kriminale është krejtësisht e pabazë.

Marrëveshja e 5 qershorit nuk mund të preket nga PS dhe këtu është ngërçi i vetëm që ne kemi me opozitën parlamentare. Ne do të kërkojmë deri në fund nga opozita parlamentare që të mos insistojnë në ndërhyrje për administrimin e zgjedhjeve.

Ky është problemi i tyre, ata janë kundër që administrimi i zgjedhjeve të kryhet nga partitë politike. As mua s’më pëlqen fare kjo zgjidhje, por ky është lëshimi i madh që ne kemi bërë dhe kështu opozita jashtëparlamentare s’ka asnjë alibi për të kërkuar apo pretenduar në funksion të proceseve, sepse është pjesëmarrëse.

Ideja që hapja e listave prish marrëveshjen është një çmenduri. Natyrisht që kërcënimet dhe aludimet se po u bë kjo, ne do bëjmë kështu e ashtu, nuk e ndihmojnë procesin në raport me Evropën.

Asgjë nuk bëhet dot me kërcënime e shantazhe. Në raport me Evropën ne jemi absolutisht të qartë.

Do të ishte shqetësuese nëse PS do të shfrytëzonte këtë situatë apo do të përdorte rrugë të padenja për të garantuar që do ta çojë sistemin drejt ndonjë ndryshimi, që do të prodhonte rënie të cilësisë së demokracisë, por që të diskutosh si problem hapjen e listave dhe ta konsiderosh këtë cënim të procesit të integrimit, kjo është marrëzi”, deklaroi Rama.