AKTUALITET, 30 Dhjetor 2020, 19:50

Pëson infarkt, ndahet nga jeta në moshën 68-vjeçare gazetari i News 24

Pëson infarkt, ndahet nga jeta në moshën 68-vjeçare


Është ndarë nga jeta në moshën 68-vjeçare gazetari i News24 në Krujë, Prend Shota. Gazetari nuk mundi të shpëtojë nga një infarkt, i cili i goditi zemrën, dhe ndërroi jetë rrugës për në spital në Tiranë.

Gazetari Prend Shota prej vitesh ka punuar në televizionin News24 si reporter për zonën e Krujës, Fushë-Krujës dhe Kurbinit duke sjellë nga afër zërin e qytetarëve për ngjarje dhe problematika nga më të ndryshmet.

68-vjeçari Prend Shota ka mbaruar shkollën për teknolog kimist gjatë kohës së regjimit komunist, ndërsa si fillim ka punuar në fabrikën e cembrionizimit në Fushë-Krujë si specialist në industrinë ushqimore. Pas viteve 90 ka punuar gazetar në disa media, mes tyre dhe në ‘News24’ si një nder punonjësit e parë të këtij televizioni.

Prend Shota punoi me pasion e pa u lodhur deri në momentin e fundit. Takimi i fundit me koleget e News24 ishte pikërisht sot kur ai siç bënte shpesh, erdhi në redaksi për t’u përshëndetur dhe uruar Vitin e ri. Prenda la pas gruan dhe dy djemtë e tij. Stafi i News24 i shpreh ngushëllimet me të sinqerta familjes se të ndjerit.