AKTUALITET, 7 Maj 2020, 14:02

"Pesë gra shtatzëna u prekën nga koronavirusi”, ISHP: Katër janë shëruar, 22 fëmijë kanë fituar betejën me virusin

"Pesë gra shtatzëna u prekën nga koronavirusi”, ISHP:


Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Rovena Daja njoftoi ditën e sotme se pesë gra shtatzëna janë konfirmuar me COVID-19 dhe katër prej tyre janë shëruar.

Ndërkohë janë prekur në total 35 fëmijë, por 22 prej tyre e kanë fituar betejën me COVID-19.

Ajo u kërkoi qytetarëve që të mos lëviznin nga njëri qytet në tjetrin për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, nisur nga rasti i gruas shtatzënë në Fier.

“Situata është e qëndrueshme. Të gjithë janë duke rritur vigjilencën, pasi shpresojmë se duke lehtësuar masat, të mos rritet numri.

Çdo gjë tani varet nga qytetarët, mos lëvizni nga njëri qytet në tjetrin, kjo është arsyeja pse kemi pasur raste të reja.

Gruaja shtatzënë (nga Fieri) është në gjendje të stabilizuar, i takon klinikës të vendosë nëse do të qëndrojë apo jo e shtruar.

Deri tani janë 35 fëmijë të prekur, 22 janë shëruar. Pesë gra shtatzënë janë prekur, katër janë shëruar", shpjegoi Daja.

842 të infektuar 31 viktima dhe 605 të shëruar, ky është bilanci i deritanishëm i COVID-19 në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije ditën e sotme se harta është zgjeruar me dy të infektuar në Kamëz, tre të infektuar në Krujë, dy të infektuar në Shkodër dhe tre të infektuar në Tiranë.

Aktualisht janë të shtruar në spitalet COVID 38 pacientë dhe vetëm shtatë prej tyre janë në terapi intensive.