TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Australia po përjeton një ferr të vërtetë. Zjarret e shumta po i bëjnë zona të tëra të vendit të pabanueshme. Por një njeri është në shënjestër të zemërimit popullor
BILD
Disa e fishkëllejnë, të tjerë e fyejnë, disa e quajnë idiot, një zjarrfikës i thotë se nuk ia ka idenë se çfarë bën.
Kryeministri australian, Scott Morrison, 51 vjeç, po përballet me një valë zemërimi nga bashkëatdhetarët e tij për shkak të katastrofës së zjarreve. Akuza: menaxhim mizerabël i krizës që nga fillimi i saj.
25 njerëz kanë vdekur, 1800 shtëpi janë shkatërruar, mbi 1.2 miliardë kafshë kanë ngordhur tashmë, përfshi këtu gjysmën e popullsisë prej 50 mijë koalash- kafsha simbol e Australisë së bashku me kangurin.
Ose ngaqë i mungon instinkti, ose sepse e këshillojnë keq, por kur kriza u përshkallëzua, Morrison u largua nga kontinenti që digjej dhe shkoi për pushime në Havai (të cilat i ndërpreu para kohe).
Veçanërisht kur vizitoi qytetin Cobargo, zemërimi i atyre që humbën shtëpitë ishte shumë i madh.
“Si ka mundësi që ne kemi vetëm katër kamionë për të mbrojtur qytetin tonë?” i thirri një grua. “Idiot” e quajti një tjetër. “Po për të vdekurit çfarë do thoni kryeministër?”
Morrison hyri po ashtu në telashe me supozimin se mijëra zjarrfikës do të tregoheshin të gatshëm për të luftuar me flakët. “Nuk ia paske idenë fare o burrë,” i tha një zjarrfikës atij. Të paktën tre zjarrfikës kanë humbur jetën që nga nisja e sezonit të zjarreve në shtator.
Një zjarrfikës në mënyrë demonstrative refuzoi t’i jepte dorën. Një grua shtatzanë po ashtu. “Nuk dua të ta shtrëngoj dorën,” tha ajo. Morrison ia mori dorën përkundër dëshirës së tij. Një shef qeverie rrallë mund të heqë qafe të tilla pamje.
Së fundmi, kreu hezitues i qeverisë ka krijuar një agjenci kombëtare që do të sigurojë ndihma për të prekurit me një buxhet prej të paktën dy miliardë dollarë (para për fermerët, bizneset e vogla dhe banorët e prekur).
Të martën, shirat dhe ulja e temperaturës sollën një relaksim, por vetëm momental. Shërbimet e emergjencës druhen se dy zjarre po bashkohen për të krijuar një zjarr të madh gjigand të pakontrollueshëm.
Vetëm një shi i vazhdueshëm do të ndihmonte. Por në fundjavë, autoritetet druhen se temperaturat do shkojnë sërish mbi 40 gradë.