IDE, 18 Qershor 2018, 16:02

Përse duhet të shpëtojmë Teatrin Kombëtar

Nga Edmond Tupja

Meqenëse Teatri Ko mbëtar (dikur i quajtur Teatri Popullor) vazhdon prej disa kohësh të jetë herë pas here në qendër të një debati të ashpër midis aktorëve të tij, nga njëra anë, dhe Qeverisë e Bashkisë së Tiranës, nga ana tjetër, diçka më nxiti të hapja “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), te fjala “teatër”, me pesë kuptimet e saj:

1. art dramatik që veprat letrare i paraqit në skenë nëpërmjet aktorëve;

2. fusha e kësaj veprimtarie artistike;

3. shfaqja e një vepre  në skenë;

4. institucioni që merret me këtë punë;

5. ndërtesa e tij.

Shembujt e përdorimit të kësaj fjale janë “teatri kombëtar (dramatik, antik); po aty, hasa në shprehjen “të luash teatër”, që do të thotë “të tallesh me dikë, ta qesëndisësh atë”. Befas, menjëherë më lindën një sërë pyetjesh: Së pari, cili është kuptimi më i rëndësishëm i fjalës “teatër” nga pikëpamja e aktualitetit shqiptar? Mos vallë nuk është asnjëri nga katër të parët, pra, bëhet thjesht fjalë për fatin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar, më saktë të truallit ku ajo qëndron ende në këmbë, çka do të thotë se kanë hyrë në lojë parametra të huaj e, si pasojë, të dëmshëm për kulturën dhe historinë e vetë artit dramatik në vendin tonë, të cilët të sjellin në mendje shpërfytyrimin urbanistik me kulla të përbindshme të kryeqytetit tonë?

Në këtë këndvështrim, a nuk ishte i çuditshëm, gjatë një takimi-debat me aktorët e teatrit në fjalë, përdorimi nga zoti Veliaj i frazës “Të mos ngatërrojmë kekun me byrekun”, ndërkohë që oligarkët e “padukshëm” jo vetëm që nuk e ngatërrojnë kekun me byrekun, por duan edhe kekun, edhe byrekun? Së dyti, cila është strategjia e nëndheshme e Qeverisë dhe e Bashkisë që, përballë shqetësimit dhe qëndresës së aktorëve (ndonëse jo të gjithë të të një mendim), ndjekin taktikën “tërhiq e mos këput”, herë tregohen të prerë, herë shtiren sikur duan të dialogojnë, por kanë arritur deri atje sa po gatiten të nxjerrin një ligj tragjikomik lidhur me çështjen në fjalë duke e spostuar me paramendim dialogun midis palëve në konflikt pas miratimit të mundshëm të këtij ligji nga parlamenti?

A nuk i thonë kësaj “të luash teatër” me aktorët tanë në mënyrë tinëzisht cinike? A nuk ishte domethënës komenti që zoti Kryebashkiak i Tiranës u bëri vezëve, me të cilat e qëlluan disa të rinj, duke thënë se asnjëra prej tyre nuk arriti ta godiste, sepse ata që i hodhën në drejtim të tij nuk kishin nishan, çka me shumë gjasë, lë të nënkuptosh se ai vetë dhe mentori i tij, zoti Kryeministër, kanë nishan dhe, rrjedhimisht, godasin përherë në shenjë, siç do të ishte me gjasë rasti lidhur me ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar?

Sidoqoftë, pavarësisht zgjidhjes që do të marrë çështja e Teatrit Kombëtar, një gjë duhet mbajtur parasysh: Shqipëria jonë, o lexuese e lexues të shqetësuar të kësaj rubrike, duke qenë ende një vend i botë së tretë, ku korrupsioni dhe krimi bëjnë kërdinë, të vetmet vlera me të cilat mund të mburret, janë historike e kulturore, përfshirë edhe ato artistike. Për këtë arsye e kryesisht vetëm për këtë, unë mendoj që duhet bërë diçka e bukur dhe e denjë për ta shpëtuar Teatrin Kombëtar jo si objekt dekorativ, jo thjesht për nostalgji, por si një monument i gjallë që duhet ta lidhë të shkuarën me të ardhmen, si gjurmë e pashlyeshme e artit dramatik shqiptar dhe si dëshmitar i përpjekjeve të artistëve për t’u thënë brezave të ardhshëm dhe botës së qytetëruar se Shqipëria, sigurisht nuk ka bërë shkencë të madhe, nuk ka pasur sport të jashtëzakonshëm, as ekonomi të paarritshme, por ka prodhuar kulturë e ka lënë gjurmë në histori.

Së fundi, le të më lejojnë lexueset e lexuesit e mi pa paragjykime që t’u kujtoj se shkrimtari franko-libanez Amin Maalouf, anëtar i Akademisë Franceze, në librin e tij “Le dérèglement du monde” (Paris, 2009), të shqipëruar nga Donika Omari nën titullin “Çoroditja e botës”, thotë se botën nga çoroditja që e ka pllakosur do ta shpëtojnë një sërë faktorësh, në veçanti edukimi, arti e kultura; ky pohim më duket i vlefshëm edhe për vendin tonë të tronditur.

Prandaj, kur Amin Maalouf-i shkruan në fund të librit të tij se “… një popull e sheh veten tek ata udhëheqës që përqafojnë atë çështje, për të cilën lufton ai”, unë kam të drejtë të mendoj se populli i artistëve shqiptarë – përfshirë edhe mjaft aktorë, të rinj e të vjetër, të Teatrit Kombëtar – nuk e sheh veten as te zoti Kryeministër, as te zoti Kryebashkiak, sepse i pari, që kur i hyri politikës, pushoi së qeni artist, ndërsa i dyti nuk ka qenë e nuk do të jetë kurrë e kurrsesi i tillë!

Gazeta Panorama 

*Titulli origjinal: Teatër