TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

I dërguari presidencial për misione të posaçme i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe ish-i dërguari i posaçëm amerikan për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e bërë përgjegjës për krizën politike dhe ngërçin institucional në vend.
Grenell deklaroi se situata politike në Kosovë është një krizë e krijuar nga Kurti. Sipas tij, kryeministri ka dështuar në luftën kundër korrupsionit dhe po vijon, sipas tij, historinë e krijimit të bllokadave dhe barrierave politike, një sjellje që Grenell thotë se Kurti e ka shfaqur edhe kur ishte në opozitë.
“Situata politike në Kosovë është një krizë e krijuar nga Albin Kurti. Ai ka dështuar ta luftojë korrupsionin dhe po e vazhdon historinë e tij të gjatë të krijimit të bllokadave dhe barrierave, sikurse ka bërë kur ishte në opozitë. Ai qartësisht nuk di si të qeverisë”, deklaroi Grenell.
Ai shtoi se Kurti është më i aftë, sipas tij, të drejtojë kritika nga opozita sesa të udhëheqë një qeveri.
Grenell është shprehur edhe për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po përballet me proces gjyqësor në Hagë.
Ai deklaroi se Perëndimi dëshiron që Thaçi të lirohet dhe të rikthehet në Kosovë për të ndihmuar në drejtimin e vendit.
“Perëndimi do që ish-presidenti Hashim Thaçi të lirohet dhe të kthehet që të ndihmojë për ta udhëhequr Kosovën përsëri. Besoj se Thaçi do të ketë një perspektivë dhe energji të ripërtërirë për popullin e Kosovës”, tha Grenell.
Më tej, ai deklaroi se Perëndimi nuk do të bashkëpunojë më me Kurtin, duke e akuzuar atë se “vetëm ankohet dhe krijon bllokada”.
“Perëndimi nuk do të punojë më me Kurtin, sepse ai vetëm ankohet dhe krijon bllokada”, u shpreh Grenell.
Deklaratat e Grenell vijnë në një periudhë të tensionuar politike në Kosovë, e cila po përballet me një ngërç institucional dhe përplasje të vazhdueshme politike.