AKTUALITET, 31 Janar 2020, 11:00

Pengmarrja dhe vrasja e Jan Prengës, të arrestuarit dalin në gjyq, ja fotot e para të tyre


Gjykata e Tiranës nis seancën për vlerësimin e masës së sigurisë për të arrestuarit për pengmarrjen në Kamzë.

Gjyqtari që do shqyrtojë kërkesën është Sokol Tona, ndërsa të arrestuarit përfaqësohen nga avokatë të zgjedhur vetë.

Nga fotot e siguruara nga LSA, duken disa prej të arrestuarve në “kafazin” prej xhami.

TË ARRESTUARIT

Para tri ditësh, Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht se kishte zbardhur pengmarrjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur më 17 janar në Kamzë, i cili dyshohet se është dhunuar për vdekje nga autorët, por trupi i tij ende nuk është gjetur.

Katër persona u arrestuan gjatë operacionit të së hënës, që forcat RENEA zhvilluan në rrethinat e Shijakut, mes të cilëve edhe babai e vëllai i Altin Hajrit, i cili konsiderohet si kreu i grupit.

Në kuadër të operacionit të koduar “Resorti”, ditën e hënë, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasve: Leonard Hajri, 35 vjeç, i dënuar më parë, Olsi Tarja, 36 vjeç, Elton Hajri, 32 vjeç dhe Bajram Hajri, 64 vjeç, banues në Shijak.

Policia sekuestroi 2 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni, 16 aparate celularë, 4 automjete dhe një shumë eurosh. Policia tha se nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se personat, pas rrëmbimit të shtetasit Jan Prenga, kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të shtetasit Altin Hajri, i shpallur në kërkim.

Ndërsa mbrëmjen e së martës, Forcat Operacionale arrestuan në Kavajë Festim Bexhdilin, 30 vjeç. Ky i fundit dyshohet se ka bashkëpunuar në fshehjen e trupit të 48-vjeçarit Prenga, pasi ka vdekur gjatë torturave.