AKTUALITET, 23 Janar 2020, 14:37

Pas sulmeve të Hysenbelliut dhe Ndroqit, Veliaj denoncon mediat: Po më vënë gjoba se duan nga 30 kate!

Pas sulmeve të Hysenbelliut dhe Ndroqit, Veliaj denoncon mediat: Po më

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë një reagim, për kronikën e publikuar ditën e djeshme në televizionin News24, ku ai kritikohej për udhëtimet e shumta jashtë vendit dhe kasetat e gatshme që dorëzon nëpër redaksi, por edhe pas disa investigimeve të publikuara nga televizioni "Ora", me të cilin Veliaj duket se ka tashmë një armiqësi të hapur.

I përkëdheluri i të gjithë mediave, të cilat i ka mikluar me favore, duke marrë mbrapsht heshtjen e tyre për betonizimin  masiv të Tiranës dhe minutazh të pambarimtë për shpalosjen e propagandës së tij, e ka të pamundur t'i kënaqë të gjithë dhe tashmë po humbet terren, duke u  vënë në shënjestër si asnjëherë më parë.

Veliaj i ka konsideruar sulmet e mediave, si gjoba që kërkojnë pronarët e tyre. Sigurisht, kush më mirë se kryebashkiaku që i ka bërë të gjitha mediat për vete, e kupton se ku çalon puna me televizionet që dalin nga rreshti. Ai thotë se këta pronarë duan nga 30 kate, duke iu referuar kullave që ka shpërndarë nëpër Tiranë, por se nuk i takojnë sipas "planit".

Në fakt, ndoshta këtu Veliaj tregohet i sinqertë, sepse kullat nga 30 kate janë të rezervuara për persona me më shumë pushtet dhe para.

"Sigurisht, Shqipëria dhe Tirana është vendi i gjobave të mëdha, këtu të gjithë duan nga 30 kate, por do marrin aq sa është plani. Kështu që, mund të bëjnë çfarë të duan me TV e tyre, por jo tek unë gjobë dhe jo gjobë te Bashkia e Tiranës sa të jem unë", shprehet Veliaj.

Por ajo që bie në sy në reagimin e Veliajt, është fakti se ai nuk shpjegon akuzat konkrete që i kanë bërë këto televizione, siç do të bënte çdo kryebashkiak i përgjegjshëm. Halli i tij i madh, është të denoncojë këto publikime si gjoba të pronarëve me të cilët, me sa duket, ka prishur përfundimisht pazaret.

Ndryshe nga televizioni  i Hysenbelliut, "News24", i cili publikon për herë të parë një kronikë kritike ndaj Veliajt, televizioni "Ora", ka që prej vitit 2018, që publikon investigime dhe kronika kritike ndaj kryebashkiakut, duke nisur një "luftë" frontale ndaj tij.

Përfaqësues të televizionit "Ora" , i thanë TPZ.al, se akuzat e Veliajt janë qesharake, sepse pronarët e këtij televizioni nuk merren me ndërtime dhe se do të vijojnë t'i shërbejnë interesit publik.

/TPZ.al/

LEXO EDHE:

https://www.tpz.al/2020/01/22/ndodh-e-papritura-news24-godet-erion-veliajn-per-udhetimet-e-shtrenjta-dhe-kasetat-e-gatshme/