AKTUALITET, 22 Janar 2020, 16:10

Pas shpopullimit masiv, plani "gjenial" i qeverisë: Heqim taksat për pensionistët e huaj!

Pas shpopullimit masiv, plani "gjenial" i qeverisë: Heqim taksat

Shqipëria po përballet çdo ditë me një plagë të rëndë, atë të emigrimit masiv, kryesisht të të rinjve, duke sjellë shpopullimin e frikshëm të vendit.

Sipas INSTAT, gjatë vitit 2018 emigruan mbi 38 mijë shqiptarë. Përgjatë viteve 2011-2017 janë larguar nga vendi 330 mijë persona. Në total, për këto tetë vite janë 369 mijë qytetare të larguar. Largimi bëhet me një ritëm prej 46 mijë personash në vit, kjo vetëm sipas shifrave zyrtare.

Por, duket se drejtuesit e qeverisë, pasi e kanë vrarë dhe lodhur mendjen tej mase, kanë arritur në konkluzonin "gjenial", se vendi ka nevojë për t'u ripopulluar, as më shumë dhe as me pak, nga pensionistët e huaj!

Gazetari Klodian Tomorri raportoi për TCH, se Këshilli i Ministrave ka çuar për votim në parlament, heqjen e tatimit mbi të ardhurat nga pensionet, për një sërë kategorish të shtetasve të huaj.

Në fakt, fenomeni i shpërnguljes së pensionistëve, kryesisht italianë, në vendin tonë, ka nisur me kohë. Ata vijnë në Shqipëri për shkak se çmimet janë më të ulëta dhe të përballueshme, krahasuar me standartin e jetesës në vendin e tyre.

Pra, qeveria në vend të mendojë për të krijuar lehtësira fiskale për kompanitë e huaja të mëdha, që mund të investojnë seriozisht në Shqipëri, duke hapur vende pune, në mënyrë që të rinjtë të mos largohen, ka gjetur një zgjidhje në kufirin e qesharakes; thithjen e pensionistëve të Europës, me shpresë se pensionet e tyre modeste, mund të jenë një kontribut për ekonominë tonë.

Kaq mjafton për të kuptuar dëshpërimin e thellë dhe gjendjen e mjerueshme ku ka arritur vendi. Të rinjtë po largohen, kompanitë e huaja të mëdha dhe serioze nuk kanë asnjë interes të vijnë në Shqipëri, por duhet të jemi të qetë, sepse një numër i madh pensionistësh europianë, pritet të popullojnë vendin tonë!

/TPZ.al/