AKTUALITET, 9 November 2026, 18:49

Pas heqjes së taksës së qarkullimit nga karburantet, mazhoranca propozon vinjetën për makinat e huaja! Ja si do të funksionojë

Pas heqjes së taksës së qarkullimit nga karburantet, mazhoranca

Projektligji i ri i depozituar në Kuvend nga mazhoranca socialiste parashikon ndryshimin e mënyrës së tarifimit për përdorimin e rrjetit rrugor kombëtar, përmes vendosjes së sistemit të vinjetës për automjetet me targa të huaja.

Nisma parashikon që drejtuesit e automjeteve të regjistruara jashtë Shqipërisë të paguajnë një tarifë për përdorimin e rrugëve kombëtare, me vlefshmëri nga një ditë deri në një vit. Ndërsa për automjetet me targa shqiptare, detyrimi do të përfshihet në taksën vjetore të mjeteve të përdorura.

Projektligji vjen vetëm pak ditë pasi qeveria vendosi heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës dhe benzinës, duke parashikuar ndryshimin e skemës së taksimit nga 1 janari 2027.

Bëhet fjalë për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8308, datë 18.3.1998, ‘Për transportet rrugore’”, të propozuar nga deputeti i Partisë Socialiste, Andi Qose.

Në thelb, nisma synon krijimin e një sistemi vinjete, përmes të cilit përdoruesit e infrastrukturës rrugore do të paguajnë në varësi të periudhës së përdorimit të saj.

Si do të funksionojë vinjeta për automjetet e huaja?

Sipas projektligjit, automjetet e regjistruara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do të duhet të pajisen me vinjetë në momentin e hyrjes në vend.

Shitja do të kryhet nga shoqëria aksionare “Enti Kombëtar i Operimit Rrugor” (EKORR), në pikat e kalimit kufitar, si dhe nëpërmjet kanaleve elektronike.

Pagesa do të mund të kryhet edhe paraprakisht, përpara hyrjes në territorin shqiptar.

Për automjetet e lehta parashikohen disa periudha vlefshmërie:

-Një ditë.
-Dhjetë ditë.
-Tridhjetë ditë.
-Një vit, ose 365 ditë.

Kjo do të thotë se turistët dhe shtetasit e huaj që hyjnë në Shqipëri me automjetet e tyre nuk do të jenë të detyruar të paguajnë një tarifë vjetore, por do të mund të zgjedhin periudhën që u nevojitet.

Tarifa do të ndryshojë në varësi të kategorisë së automjetit dhe kohëzgjatjes së vlefshmërisë.

Sa do të kushtojë vinjeta?

Projektligji përcakton kufijtë maksimalë të tarifave për automjetet e lehta, të llogaritura në raport me tarifën vjetore.

Konkretisht, tarifa nuk mund të kalojë:

-9% të tarifës vjetore për vinjetën ditore.
-11% për vinjetën 7-ditore.
-12% për vinjetën 10-ditore.
-19% për vinjetën 30-ditore.
-30% për vinjetën 60-ditore.

Tarifa vjetore do të shërbejë si bazë për përllogaritjen e pagesave afatshkurtra.

Megjithatë, vlera konkrete në lekë nuk është përcaktuar ende në projektligj. Ajo do të miratohet më vonë me vendim të Këshillit të Ministrave, së bashku me kategoritë e mjeteve dhe metodologjinë e llogaritjes.

Për autobusët parashikohen gjithashtu periudha ditore, javore, mujore dhe vjetore. Tarifa ditore nuk mund të kalojë 2% të tarifës vjetore, ajo javore 5%, ndërsa tarifa mujore 10%.

Po automjetet me targa shqiptare?

Projektligji bën një dallim në mënyrën e pagesës për automjetet e regjistruara në Shqipëri.

Për këto mjete, vinjeta vjetore parashikohet të përfshihet në taksën vjetore të mjeteve të përdorura, pa krijuar një procedurë të veçantë pagese.

Në relacion, propozuesit argumentojnë se kjo mënyrë shmang krijimin e një detyrimi të dytë administrativ për drejtuesit e automjeteve shqiptare.

Pra, ndryshe nga automjetet e huaja, të cilat do të duhet të blejnë vinjetën në kufi ose përmes internetit, për automjetet shqiptare pagesa do të integrohet në skemën ekzistuese të taksimit vjetor.

Cilat automjete përjashtohen nga pagesa?

Nisma parashikon që automjetet të mos paguajnë dy herë për të njëjtin segment rrugor.

Për këtë arsye, nga rrjeti i vinjetës përjashtohen infrastruktura rrugore me koncesion, urat, tunelet dhe rrugët malore për të cilat është vendosur një tarifë e veçantë përdorimi.

Gjithashtu, Këshilli i Ministrave mund të miratojë përjashtime ose reduktime të tarifave për kategori të caktuara automjetesh.

Në këtë grup përfshihen:

-Automjetet elektrike dhe ato me hidrogjen.
-Automjetet me emetime të ulëta.
-Motomjetet.
-Automjetet e regjistruara në shtetet kufitare.

Kategoritë përfituese dhe masa e reduktimit do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kontrolli përmes kamerave, gjoba për automjetet pa vinjetë

Një tjetër element i rëndësishëm i projektligjit është krijimi i një sistemi elektronik për kontrollin e pagesave.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) do të jetë institucioni përgjegjës për emetimin dhe administrimin e sistemit elektronik të vinjetave, ndërsa EKORR do të merret me shpërndarjen, shitjen dhe mbledhjen e të ardhurave.

Kontrolli parashikohet të realizohet edhe përmes kamerave dhe sistemeve automatike të leximit të targave, të cilat do të verifikojnë nëse automjeti është pajisur me vinjetë të vlefshme.

Për përdorimin e rrjetit rrugor pa vinjetë parashikohet një gjobë në masën e tarifës mujore ose 30-ditore për kategorinë përkatëse të automjetit. Krahas gjobës, drejtuesi do të ketë detyrimin të pajiset menjëherë me vinjetën përkatëse.

Gjoba parashikohen edhe për EKORR, në rast të shkeljes së detyrimeve të përcaktuara në projektligj. Masat administrative për këtë shoqëri variojnë nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë.

Mjetet e rënda të mallrave, vinjetë deri në vitin 2029

Projektligji parashikon një regjim të përkohshëm edhe për automjetet e rënda të transportit të mallrave.

Deri më 31 dhjetor 2029, këto mjete do të pajisen me vinjetë për përdorimin e rrjetit rrugor kombëtar.

Tarifat do të diferencohen në bazë të numrit të akseve, peshës totale të lejuar me ngarkesë dhe klasës së emetimeve EURO ose emetimeve të CO₂.

Nga 1 janari 2030, ky sistem i përkohshëm parashikohet të pushojë së zbatuari. Në vend të tij, tarifimi i mjeteve të rënda do të rregullohet sipas dispozitave të përafruara me legjislacionin e Bashkimit Evropian, duke përfshirë tarifat sipas distancës së përshkuar, kostot e jashtme dhe mbingarkesën e trafikut.

Pse propozohet sistemi i ri?

Në relacionin shoqërues, propozuesit argumentojnë se ndryshimet janë të nevojshme pas rishikimit të politikës fiskale në sektorin e transportit.

Sipas tyre, me heqjen e taksës së qarkullimit nga karburantet dhe kalimin e saj në skemën e taksimit vjetor të mjeteve, krijohet nevoja për një mekanizëm të veçantë që garanton pagesën për përdorimin e rrjetit rrugor edhe nga automjetet e regjistruara jashtë Shqipërisë.

Propozuesit theksojnë se aktualisht automjetet me targa shqiptare kontribuojnë përmes taksës së qarkullimit të përfshirë në karburant dhe taksës vjetore të mjeteve të përdorura, ndërsa automjetet e huaja që përdorin rrugët kombëtare nuk kontribuojnë në të njëjtën mënyrë përmes kësaj skeme.

Sipas tyre, vendosja e vinjetës synon të garantojë që edhe përdoruesit e huaj të kontribuojnë për përdorimin e infrastrukturës rrugore shqiptare, si dhe të përafrojë sistemin me praktikat evropiane.

Kur pritet të hyjë në fuqi?

Projektligji parashikon që ndryshimet të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa detyrimi për pagesën e vinjetës do të nisë në datën që do të përcaktojë Këshilli i Ministrave.

Po ashtu, aktet nënligjore për zbatimin e sistemit duhet të miratohen përpara fillimit të tij.

Për momentin, bëhet fjalë për një projektligj të depozituar në Kuvend, i cili duhet të ndjekë procedurën parlamentare përpara se të kthehet në ligj. Kështu, tarifat konkrete, mënyra e blerjes, kategoritë përfituese dhe procedurat e kontrollit mbeten për t'u përcaktuar nga vendimet e mëtejshme të qeverisë.