AKTUALITET, 27 Maj 2019, 17:37

Parlamenti shkarkon kancelarin Kurz, Austria me qeveri tranzitore

Parlamenti shkarkon kancelarin Kurz, Austria me qeveri tranzitore


Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz dhe qeveria e tij kanë humbur votëbesimin e parlamentit në një seancë të posaçme këtë të hënë. Vendimi i Parlamentit austriak bën që Kurz dhe qeveria e tij të dorëzojnë detyrën pas humbjes së mbështetjes në radhët e ligjvënësve.

Kjo situatë e pazakontë për Austrinë erdhi pasi zv/kancelari, Heinz-Christian Strache i cili ishte edhe kreu i partisë në koalicion, FPÖ u përfshi në një skandal korrupsioni.

Strache dha dorëheqjen menjëherë pas publikimit të videoskandalit ku ai shfaqej tek i ofronte kontrata shtetërore një ilogarkeje të dyshuar ruse, në shkëmbim të mbështetjes për fushatën zgjedhore, ndërsa Kurz shpalli zgjedhjet e parakohshme.

Presidenti i Austrisë tani duhet të vendosë se kush do të jetë kancelari i ri që do të pasojë Sebastian Kurz. Pasardhësi do të kryesojë një qeveri kujdestare përpara zgjedhjeve, të parashikuara për të muajin shtator. Sebastian Kurz, 32 vjeç, u bë lider i parë austriak në më shumë se shtatë dekada që u hoq nga pushteti nga ligjvënësit e tjerë.