SPORT, 30 Maj 2018, 20:47

“Panucci sharlatan”/ Duka i përgjigjet Nishanit: U gdhi trajner brenda 24 orësh

“Panucci sharlatan”/ Duka i përgjigjet Nishanit: U gdhi trajner

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e ka quajtur përballjen e djeshme mes Shqipërisë dhe Kosovës si një ëndërr të kahershme. Nëpërmjet një shkrimi në faqen zyrtare të FSHF-së, Duka tregon se është i lumtur për suksesin e Kosovës si të ishte Shqipëria.

“Qe një ditë e madhe për shqiptarët kudo që jetojnë, por nuk mund ta mohoj që ishte një dite e errët për kombëtaren tonë. Por, ndodh në futboll, ka edhe ditë si kjo, megjithëse askush nuk i dëshiron. Unë uroj dhe besoj shumë që skuadra, stafi dhe të gjithë ne, do të dijmë që ta lexojmë këtë paraqitje të keqe sportive” – shkruan ndër të tjera Duka.

Kreu i FSHF-së u pranon se Shqipëria luajti dobët, por u përgjigjet ashpër atyre që kanë nxitur konflikt mes du kombëtareve.

“Nga ana tjetër, e kam jo pak të vështirë të kuptoj, të besoj, e jo vetëm unë, por edhe shumë nga qytetarët e paindoktrinuar dhe pa paragjykime në të dyja anët e kufirit, se si një ndeshje miqësore vëllezërish, të bëhet shkak për anatemime, negativitet dhe baltë nga disa të pa udhë , të cilët kërkojnë me cdo kusht të bëhen “protagonistë” të neveritshëm duke menduar se po i hedhin benzinë një “zjarri” që nuk ekziston aspak. Shqipëria dhe Kosova luajtën thjesht një ndeshje sportive” – thotë Duka.

Ai nuk kursen as ish-presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani që e quajtin trajnerin Panucci një sharlatan.

“Kjo është e gjitha, ishte thjesht një miqësore: autokritikë Shqipëria, dhe urime Kosova. Për të tjerat e kam të pamundur të futem në debate me analistë politikë, apo edhe ish-presidentë, që brenda 24 orësh gdhihen trajnerë futbolli, këndej dhe andej kufirit” – e mbyll Duka.