AKTUALITET, 20 Prill 2020, 21:34

Pano Soko: Amnistia fiskale jep mesazhin se kush paguan taksa është budalla! Nuk bëhet për emigrantët që mbjellin ullinj...

Pano Soko: Amnistia fiskale jep mesazhin se kush paguan taksa është

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, ka qenë i ftuar në emisionin "Në fokus" në "Tv T", ku ka folur për nismën e fundit të qeverisë shqiptare, për një amnisti fiskale.

Soko tha se kjo nismë,  jep një mesazh të gabuar, se të paguash taksa nuk ka asnjë vlerë, sepse vjen një amnisti dhe të legalizon paratë. Eksperti tha gjithashtu se nuk bëhet fjalë për legalizimin e parave të emigrantëve që punojnë në të zezë, pasi ata fitojnë shumë pak para, që i përdorin për konsum, por bëhet fjalë për para të pista dhe para që vijnë nga korrupsioni.

"Zoti Rama, qeveria Rama,  në këto momente, është në nevojë të dëshpëruar për para. Për shkak të situatës, rrjedhjet kanë qenë të jashtëzakonshme, kjo e çon qeverinë, në kërkim të dëshpëruar të parave, kudo të mundet.

Krijimi i kulturës së amnistisë fiskale dhe kjo tashmë është kthyer në kulturë, në Shqipëri, sepse është amnistia e tretë fiskale që po realizohet, ju thotë të gjithëve që, shiko nuk ka problem mos paguani taksat, sepse kush paguan taksat është budalla, sepse do të vijë një ditë dhe do kemi ose fushatë elektorale ose krizë dhe ti do ti pastrosh paratë e realizuara në të zezë, fare thjesht me ligj.

Cfarë mesazhi u japim atyre njerëzve, që kanë punuar në të bardhë, kanë paguar taksat, kanë paguar detyrimet ndaj shtetit?

E dyta, titullimi si një amnisti e destinuar ndaj atyre emigrantëve që kanë punuar, në të zezë. Ne kemi emigrantë të pasur, por asnjë nga ata nuk është bërë i pasur duke punuar në të zezë. Emigrantët që punojnë në të zezë, fillimisht sepse pastaj kalojnë në vende punë, ata marrin pagesa minimale. Përshembull, një punëtor në të zezë, është diksuh që mbjell ullinj, që korr domate, apo shtron pllaka. Këta janë njerëz që nuk marrin kapitale kaq të mëdha, që të bëhet një ligj dhe këta ti fusin në banka.

Ja maksimumi një njeri i tillë bën 10 mijë euro. Kaq para, janë para konsumi. Vjen në Shqipëri dhe nuk ka nevojë ti pastrojë, sepse këto janë para konsumi.

Po për cfarë bëhet kjo pastaj?

Këta do të jenë ata që janë përmendur gjatë. Njerëz që kanë bërë korrupsion, para që i kanë fituar në mënyrë të padrejtë.

Këtu qeveria vret dy zogj me një gur, nga njëra anë, i bën edhe nder ca miqëve, nga krahu tjetër grumbullon disa lek, në këtë kohë të vështirë për buxhetin e shtetit", tha Soko.

/TPZ.al/