TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Një hetim i The New York Times ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si është menaxhuar sistemi i prokurimit të armëve dhe municioneve në Ukrainë. Sipas auditimeve të brendshme qeveritare dhe dokumenteve gjyqësore të shqyrtuara nga gazeta, vendi mund të ketë humbur rreth 1.2 miliardë dollarë vetëm gjatë vitit 2024, për shkak të mashtrimit, shpërdorimit dhe keqmenaxhimit.
Raporti evidenton një sistem ku paralajmërimet e auditorëve për korrupsion, tejkalime të kostove dhe kontrata të papërmbushura nuk kanë penguar kompani të caktuara që të marrin sërish kontrata të mëdha nga shteti. Sipas dokumenteve të cituara nga gazeta amerikane, 7 nga 10 furnizuesit më të mëdhenj ushtarakë të Ukrainës kanë marrë porosi të reja, pavarësisht se disa prej tyre ishin nën hetim për mashtrim, kishin probleme me kontratat e mëparshme ose kishin drejtues të përfshirë në çështje korrupsioni.
Një prej rasteve të përmendura është ai i uzinës kimike Pavlohrad, e cila furnizonte ushtrinë ukrainase me mijëra predha mortajash. Sipas hetimit, gjatë luftimeve në vitin 2024, disa prej municioneve të prodhuara nga fabrika nuk funksionuan siç duhet. Disa predha nuk shpërthyen, ndërsa të tjera raportohet se ranë nga tubat e mortajave pa u aktivizuar. Drejtori i uzinës, Leonid Shiman, u arrestua më vonë dhe u përball me akuza për korrupsion. Megjithatë, sipas auditimeve të cituara nga The New York Times, edhe pasi autoritetet ishin informuar për problemet me municionet, Shërbimi Ukrainas i Prokurimit të Mbrojtjes vijoi t’i jepte kompanisë kontrata të reja.
Një prej kontratave, me vlerë rreth 280 milionë dollarë, ishte lidhur në një kohë kur Shiman ishte nën hetim për çështje të tjera të dyshuara korrupsioni. Auditorët vunë në dukje gjithashtu mospërputhje në të dhënat e kompanisë për kapacitetin e saj prodhues. Fillimisht uzina kishte deklaruar se nuk kishte kapacitet të mjaftueshëm për të përmbushur kontratën, ndërsa më vonë ndryshoi shifrat pa dhënë një shpjegim të qartë.
Pavarësisht këtyre problematikave, Pavlohrad mori kontrata të tjera dhe më vonë u përzgjodh për të furnizuar pjesën më të madhe të predhave të artilerisë 122 milimetra që i nevojiteshin ushtrisë ukrainase për vitin 2025. Auditimet e Zyrës së Auditimit të Shtetit dhe njësisë së auditimit të brendshëm të Ministrisë së Mbrojtjes kanë evidentuar atë që përshkruhet si keqmenaxhim sistematik.
Sipas dokumenteve të bëra publike në kuadër të hetimit, 18 kompani morën kontrata të reja edhe pse nuk kishin përmbushur detyrimet e kontratave të mëparshme. Më shqetësues është fakti se gjashtë prej tyre nuk kishin përfunduar asnjë prej kontratave që kishin marrë përsipër. Auditimet për vitet 2024 dhe 2025 kanë evidentuar gjithashtu rreth 126 milionë dollarë humbje, pasi në disa raste ofertat më të lira u anashkaluan dhe pajisjet ushtarake u blenë me çmime më të larta.
Në një tjetër rast, të paktën 100 milionë dollarë të paguara paraprakisht mbetën objekt i një beteje ligjore, pasi marrëveshja për furnizimin me armë nuk u realizua. Një tjetër rast i evidentuar nga auditorët lidhet me blerjen e municioneve për raketa të prodhuara në Turqi. Tre kompani ofruan të njëjtin produkt, të prodhuar në të njëjtën fabrikë. Çmimet varionin nga rreth 4,200 dollarë deri në 5,100 dollarë për raketë. Oferta më e lirë ishte ajo e prodhuesit turk Arca Defense. Megjithatë, autoritetet ukrainase ia dhanë kontratën një kompanie që e ofronte produktin përmes një ndërmjetësi, pjesë e grupit çek Czechoslovak Group.
Sipas auditorëve, nuk kishte një justifikim të mjaftueshëm për zgjedhjen e ofertës më të shtrenjtë. Përllogaritjet e The New York Times sugjerojnë se vendimi i kushtoi Ukrainës rreth 130 milionë dollarë më shumë.
Kontrata me raketa serbe që përfundoi në konflikt gjyqësor
Hetimi ndalet edhe te një marrëveshje e vitit 2024 për blerjen e raketave të projektuara sipas modeleve sovjetike nga një prodhues serb. Për shkak të marrëdhënieve të Serbisë me Rusinë, Ukraina përdori disa ndërmjetës për të siguruar armatimin. Kontrata u lidh me kompaninë shtetërore ukrainase të tregtimit të armëve Spetstechnoexport.
Audituesit konstatuan se kompania kishte një histori kontratash të papërmbushura, ndërsa ish-drejtues të saj ishin nën hetim për dyshime për përvetësim dhe pastrim parash. Një tjetër problem ishte mungesa e një licence serbe për eksportin e raketave. Sipas auditorëve, në vend të saj u përdor një letër garancie nga inteligjenca ushtarake ukrainase, për të cilën ata thanë se nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore. Spetstechnoexport më pas nënkontraktoi kompaninë amerikane Regulus Global. Marrëveshjet mes dy kompanive kapnin një vlerë prej rreth 1.7 miliardë dollarësh, por marrëveshja për raketat përfundimisht dështoi.
Pas prishjes së marrëveshjes nisën edhe përplasjet ligjore. Qeveria ukrainase kërkoi gjoba dhe interesa nga Spetstechnoexport, ndërsa kjo e fundit ndërmori veprime financiare kundër Regulus.
Kompania amerikane ka mohuar çdo shkelje dhe ka argumentuar se ishte përfshirë në mes të procesit të riorganizimit të sistemit ukrainas të prokurimit të mbrojtjes. Hetimi konstaton se, pavarësisht reformave të ndërmarra vitet e fundit dhe përpjekjeve për të forcuar kontrollin mbi prokurimet, sistemi ukrainas vazhdon të ketë dobësi të konsiderueshme. Kompanitë me histori problematike, kontrata të papërfunduara apo drejtues nën hetim kanë vazhduar të kenë akses në tenderë dhe kontrata me vlera të larta.
Problemi, sipas gjetjeve të auditimeve, nuk lidhet vetëm me humbjen e parave publike. Në kushtet e luftës me Rusinë, keqmenaxhimi i prokurimeve mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në furnizimin e forcave ukrainase me armë dhe municione. Raporti i The New York Times e paraqet këtë si një prej sfidave të rëndësishme të Ukrainës: garantimi i një sistemi prokurimi transparent dhe efikas në një kohë kur vendi ka nevojë urgjente për pajisje ushtarake dhe çdo vonesë apo humbje financiare mund të ketë pasoja edhe në front.