AKTUALITET, 11 Janar 2020, 15:25

Nuk u lejua të marrë pjesë në funeralin e motrës, tenton vetëvrasjen në burg vëllai i vajzës që u vra në Francë

Nuk u lejua të marrë pjesë në funeralin e motrës,

Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur familjen Kovaçi në Berat. Pasi sot përcollën për në banesën e fundit Brunilda Kovaçin, e cila u gjet e vrarë në një pyll në Francë, vëllai i saj, Shpëtim Kovaçi ka tentuar që të vetëvritet pasi nuk i dhanë leje nga burgu për të marrë pjesë në funeral.

Ngjarja ndodhi brenda ambienteve të burgut të Beratit, ku ishte duke vuajtur dënimin i riu.

Shpëtim Kovaçi ka tentuar të presë damarët e fytit me briskun e rrojës. Ai është gjetur i gjakosur në dhomë nga policët e burgut, të cilët e kanë sjellë me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, ku ndodhet në Sallën e Operacionit.

Mjekët e Repartit të Urgjencës kanë deklaruar se ai është jashtë rrezikut për jetën. Pas mjekimit, ai është transportuar sërish drejt IEPV-së Berat. 32-vjeçari Shpëtim Kovaçi prej 8 vitesh është në burg, pasi akuzohet për vrasje.

37-vjeçarja u gjet e vrarë dhe e djegur në një pyll të Francës në 25 Dhjetor 2019. Një ditë më pas shteti francez deklaroi se vajza ishte punëtore seksi dhe ishte nga qyteti i Beratit, ndërsa autori, një klient, ka pranuar krimin.