AKTUALITET, 3 Tetor 2020, 13:33

Nga mbledhja e informacioneve tek nisja e operacionit, çfarë zbuloi policia në Vlorë, i vë prangat dy të rinjve


Policia e Vlorës vuri në pranga dy të rinj gjatë një operacioni antidrogë të koduar “Çepraku”, teksa janë sekuestruar rreth 48 kg kanabis, 1 armë zjarri pistoletë, 2 armë gjahu, municion luftarak, dylbi pushke dhe dy radio marrëse-dhënëse si të Policisë.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në territorin e fshatin Kuç, dy persona posedonin lëndë narkotike, armë zjarri, si dhe kishin kultivuar bimë narkotike, policia nisi operacionin, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve E. F., 19 vjeç dhe I. G., 26 vjeç, banues në fshatin Kuç, Himarë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e fshatit Kuç, Njësia Administrative Horrë-Vranisht, bashkia Himarë, në vendin e quajtur “Lumi i Çeprakut”, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 48 kg lëndë të dyshuar cannabis sativa, një armë zjarri pistoletë të llojit “Beretta”, dy armë gjahu të cilat i mbanin pa leje, municion luftarak, një dylbi pushke, një gjerdan brezi me fishekë për armë gjahu dhe dy radio marrëse-dhënëse.

Po gjatë operacionit, Policia ka evidentuar dhe asgjësuar fidanë të dyshuar cannabis sativa, të cilët ishin kultivuar në vendin e quajtur “Lumi i Çeprakut”, në fshatin Kuç, Himarë.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, ”Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.