SPORT, 18 Shtator 2021, 09:42

“Nëse nuk vdesim në çdo top, do të na hanë”, Alegri shton presionin te lojtarët e tij para Milanit

“Nëse nuk vdesim në çdo top, do të na


Juventusi është më shumë se kurrë i përqendruar te ndeshja e së dielës në mbrëmje, në “Allianz Stadium”, pasi Milani mund të jetë pa dyshim kthesa e madhe e sezonit.

Pas fitores me Malmon në Champions, starti europian ishte shumë i mbarë, por tani kërkohet edhe suksesi i parë në kampionat, aq më tepër në një duel direkt për objektivin e titullit kampion, i cili do ta ndihmonte skuadrën sidomos në aspektin psikologjik për t’u dhënë vazhdimësi përmirësimeve që kërkohen dhe pretendohen me të drejtë nga bardhezinjtë.

AGRESIVITET – Dhe seanca e djeshme stërvitore e Juventusit ishte më tepër e fokusuar në një aspekt psikologjiko-komunikativ mes Masimiliano Alegrit dhe futbollistëve të tij, të cilëve cilësitë nuk u mungojnë, por ndoshta tani ka ardhur koha që të gjithë të zgjohen dhe duke mundur Milanin të japin përgjigjen e parë të fortë dhe të japin konfirmimin se Juventusi është gjallë, përndryshe të gjithë do të vuajnë dhe ndoshta dikush mund të nisë të paguajë edhe më shpejt sesa mendohej, pasi pavarësisht tri javëve të para, diferenca me kreun është thelluar më shumë sesa mund të pranohet (aktualisht 8 pikë larg).

“Deri tani na ka munguar agresiviteti, ligësia për të arritur te fitorja dhe kjo gjë nuk më pëlqen. Po stërvitemi mirë, bëjmë gjërat e duhura në stërvitje, por kokën nuk e kemi në vend kur zbresim në fushë. Dhe pikërisht ligësia në kokë, grinta dhe dëshira për të marrë me çdo kusht, me çdo mënyrë fitoren është ajo që bën diferencën në fushë. Këmbët mund t’i lëvizim mirë, por nëse nuk është koka ajo që mendon vetëm për të arritur 3 pikët, për të mundur Milanin dhe këdo tjetër atëherë është e kotë edhe ajo që bëjmë këtu. Unë po stërvitem me ju në fushë, unë ju ndjek ju me zë dhe me lëvizje dhe nuk do të lodhem edhe së ju bërtituri edhe për mënyrën se si mund të kontrolloni dhe të pasoni edhe një top të lehtë, një pasim elementar.

Por teksa unë ju ndjek, pres edhe nga ju që të ndiqni atë që unë dua të shoh nga ju, dëshirë të etur për fitore. E kam përsëritur dhe nuk do të lodhem ta bëj: Jemi te Juventusi, ku çdo top mund të të bëjë që të fitojmë apo të humbim titullin kampion. Në lodhje e sipër, aq më shumë kur këmbët të dhembin e të djegin, nëse dorëzohesh një minutë, jo vetëm që të rrëmbejnë topin, por rivalët janë gati edhe të të hanë. Prandaj, këmbëngul dhe nuk do të lodhem së thëni se është pikërisht ligësia dhe grinta e pashtershme në kokë ajo që duhet për të fituar. Pres shumë nga ju ndaj Milanit, mos më zhgënjeni”, përfundoi fjalimi i Alegrit.