TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ratko Mlladiç përcillet sot për në banesën e fundit në Beograd, në një ceremoni që ka mbledhur turma të mëdha qytetarësh, veteranë dhe figura publike serbe.
Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska do të varroset në varrezat e Topçiderit, pranë vajzës së tij Ana, e cila u vetëvra në vitin 1994, në moshën vetëm 23-vjeçare, me armën e të atit.
Që në orët e para të mëngjesit, qindra qytetarë janë mbledhur pranë Kishës së Shën Lukës në Košutnjak, ku arkivoli me trupin e Mlladiçit është vendosur që prej orës 07:00. Radhët janë zgjatur përpara kishës, ndërsa njerëzit presin për të bërë homazhe dhe për t’i shprehur ngushëllimet familjes.
Në zonën përreth janë vendosur masa të forta sigurie. Disa rrugë drejt Košutnjakut janë mbyllur dhe një pjesë e qytetarëve janë detyruar të afrohen në këmbë për shkak të turmave të mëdha.
Mes të pranishmëve janë veteranë dhe ish-luftëtarë nga Republika Srpska, të ardhur nga Banja Luka, Laktaši, Gradiška, Sokolaci dhe Višegradi.
Në ceremoni janë parë edhe figura të njohura të politikës dhe jetës publike serbe, mes tyre Aleksandar Vulin, Miloš Jovanović, Danica Grujičić, Dajana Paunović dhe Luka Daçiç.
Edhe Danilo Vuçiç, djali i presidentit serb Aleksandar Vuçiç, ka mbërritur pranë kishës për t’i bërë homazhe Mlladiçit.
Bashkëshortja e tij, Bosiljka Mlladiç, ka dalë nga kisha mes turmës, ndërsa qytetarët i kanë shprehur ngushëllime. E pranishme ka qenë edhe mbesa e Mlladiçit.
“Për mua është krenari dhe nder të jem këtu sot. Kam ardhur me dy djemtë e mi për t’i bërë nderimet e fundit Mlladiçit”, tha një prej pjesëmarrësve.
Ndërkohë, në mesin e njerëzve që kanë ardhur për të bërë homazhe ka edhe persona që e kanë njohur personalisht Mlladiçin.
Milka Vuković, 77 vjeç, bashkëshortja e gjeneralit të ndjerë Ljubiša Vuković, tha se Mlladiçi kishte qenë mik i bashkëshortit të saj.
Ceremonia dhe kortezhi drejt varrezave
Sipas njoftimit të Kishës Ortodokse Serbe, shërbesa mortore do të nisë në orën 12:00 dhe do të drejtohet nga patriarku serb Porfirije.
Pas ceremonisë në Kishën e Shën Lukës, kortezhi do të nisë drejt varrezave të Topçiderit, disa kilometra larg. Varrimi është planifikuar të zhvillohet rreth orës 13:30–14:00. Në përgatitje të ceremonisë janë parë ekipe televizive, gjeneratorë, kabllo dhe tualete të lëvizshme, ndërsa përreth zonës janë marrë masa të shtuara sigurie.
Organizatorët kanë parashikuar pjesëmarrje shumë të madhe, ndërsa Mlladiçi vazhdon të konsiderohet nga një pjesë e nacionalistëve serbë si figurë heroike, pavarësisht se është dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për krime lufte dhe gjenocid.
Do të prehet pranë vajzës së tij
Por ndalesa e fundit e Mlladiçit do të ketë edhe një dimension familjar. Ai do të varroset pranë vajzës së tij, Anës, e cila prehet në këtë varrezë që prej vitit 1994.
Në varrin e saj ndodhet një pllakë mermeri e zezë me fotografinë e vajzës së re. Pranë saj ka lule dhe qirinj, ndërsa në varr ka edhe një stol për vizitorët. Ana Mlladiç ishte studente e Mjekësisë dhe vdiq në moshën 23-vjeçare. Sipas rrëfimeve të publikuara ndër vite, ajo përdori armën e babait të saj për t’i dhënë fund jetës.
Historia e saj është trajtuar edhe në libra që kanë tentuar të hedhin dritë mbi marrëdhënien mes saj dhe të atit. Në librin “Vajza”, shkrimtarja Clara Usón trajton historinë e Anës dhe krizën e saj të thellë pas përballjes me informacionet për krimet e luftës në Bosnje.
Gazetarja kroate Slavenka Drakuliç ka shkruar gjithashtu për familjen Mlladiç dhe për atmosferën e rëndë në shtëpinë e tyre në periudhën para vdekjes së Anës. Sipas rrëfimeve të publikuara, mbrëmjen para vetëvrasjes së saj, familja ishte mbledhur së bashku, ndërsa jashtë familjes po zhvillohej një nga konfliktet më të përgjakshme të historisë së fundit të Ballkanit.
Vdekja e Anës thuhet se e tronditi thellë Mlladiçin. Ngjarja ndodhi në vitin 1994, një vit përpara masakrës së Srebrenicës, ku u vranë më shumë se 8 mijë boshnjakë.
Mlladiçi dhe varri ku kthehej fshehurazi
Gjatë viteve që qëndroi në arrati, Mlladiçi jetoi i fshehur dhe, sipas rrëfimeve të publikuara, merrej edhe me bletari. Megjithatë, ai kthehej fshehurazi në varrin e vajzës së tij në Beograd për të vendosur lule. Edhe pas arrestimit në vitin 2011, përpara transferimit të tij në Hagë, ai kërkoi të ndalonte në varreza për t’i vendosur trëndafila vajzës. Sot, pas më shumë se tre dekadash, ai do të varroset pikërisht pranë saj.
